Shoqatat e akuzuan për shkelje të të drejtave të njeriut. Rama nuk heq dorë nga burgu: As që bëhet fjalë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj denoncimit publik të 30 organizatave të shoqërisë civile kundër dënimit me 15 vjet burg për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e karantinës.

Në një mesazh në Facebook, kryeministri thotë se “as që behet fjalë fare” për heqje dorë nga ndëshkimet me burg.

“Shoqatat s’duan asgjë në Kodin Penal për mbrojtjen nga epidemia?! Po daljen e njerëzve nga shtëpia e duan?! Po rivënien në lëvizje të ekonomisë e duan?! Po rrezikun e infeksionit kur të hapemi e kanë menduar?! E pra, nuk kemi rrugë tjetër për t’u hapur pa rrezikuar të humbim gjithçka!”,- shkruan kryeministri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rama shton se nëse organizatat e shoqërisë civile “kanë propozime konkrete për përmirësime bujrum pa humbur kohë, sepse s’mund të jemi i vetmi vend në planet që s’ka asgjë në Kodin Penal për të mbrojtur popullin nga kërcënimi i jetës, në kushtet e epidemisë! Përmirësime po, tërheqje as që bëhet fjalë fare”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Organizatat kryesore të shoqërisë civile në vend, në një deklaratë për mediat, i cilësuan ndryshimet ligjore për dënimin me burg të qytetarëve që thyejnë rregullat e parandalimit të koronavirusit si cenim të të drejtave të njeriut.

Lidhur me dënimet me burg organizatat thonë se “në këto dispozita është shqetësues fakti që nuk bëhet asnjë dallim sa i takon subjektit që kryen këto vepra nëse është mbartës ose jo i sëmundjes infektive. Formulime të tilla mund të çojnë në vlerësime të ndryshme arbitrare dhe në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve”.

Shoqatat i kërkojnë Kuvendit rrëzimin e ndryshimeve në Kodin Penal duke argumentuar se ligje të tilla nuk mund të votohen me emergjencë.

“Duke qenë se Kodi Penal bën pjesë në kategorinë e akteve që miratohen me shumicë të cilësuar, ndryshimet e tij nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar. Kjo mbështetur në nenin 83, pika 3 e Kushtetutës ku ndalohet zbatimi i procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit me përjashtim të ligjit për gjendjen e jashtëzakonshme (shih Vendimin e Gj.Kushtetuese nr. 5, datë 05.02.2014)”,- thuhet në deklaratën e shoqatave.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?