Shpallen kandidatët e PD-së së Berishës për qarkun e Beratit. Suprizë Lefter Maliqi
Në qarkun e Beratit ka përfunduar procesi i numërimit të votimeve në Primaret e Sali Berishës, që tregojnë dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Për bashkinë Berat fitues doli kandidati Zija Ismaili. Mësohet se ai ka marrë 527 vota. Sazan Guri, kandidati tjetër ka marrë 32 vota ndërsa kandidatja Klejdi Spahiu ka marrë 80 vota. 3 vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Në Poliçan ka pasur vetëm një kandidat të vetëm, për pasojë fitues është shpallur Behar Xhaferraj i cili ka marrë 92 vota, ndërsa 2 vota janë shpallur të pavlefshme.
Në Skrapar fitues është Euglen Mustafallari me 156 vota, i cili po ashtu ishte kandidat i vetëm.
Në Dimal është shpallur fitues Gentian Meci i cili ka arritur të sigurojë 187 vota kundrant 86 votave të Thoma Rumnicit.
Në Kuçovë, ku pati dorëheqje nga Brikena Koroveshi e vetmja kandidate përballë Lefter Maliqit, është mbyllur procesi i numërimit, ku me 339 vota është shpallur fitues Lefter Maliqi, ish-deputet i PD-së dhe tashmë pjesë e ish-LSI-së (Partia e Lirisë).
Në një postim në Facebook, ai ka shpallur fitoren, ndërsa nuk harron të falënderojë as Metën dhe Berishën për besimin që i kanë dhënë.
“Mirënjohje 352 demokratëve dhe opozitarëve për votën në Primare. Nga këto 339 pro, 6 kundra,7 të pavlefshme. Mirënjohje dy liderëve Meta-Berisha për besimin. Së bashku me punë të palodhur drejt fitores së sigurt në 14 maj të Bashkisë Kuçove. Çdo premtim do kthehet në vepër, me ndryshime të menjëhershme në infrastrukture, imazh, arsim, kulturë, shëndetësi, sport, bujqësi, punësime, etj në Kuçovën e naftëtarëve, aviatorëve dhe intelektualeve. Bashkia do jetë e hapur dhe e qytetarëve jo e kryetarit”, shkruan Maliqi.