Shpëtim Gjikës i komunikohet masa e arrestit në spital
Gjykata e Vlorës do t’ia komunikojë zyrtarisht sot masën e sigurisë kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikës. Procedura do të zhvillohet në spitalin privat ku ai gjendet prej ditës së djeshme për shkak të problemeve shëndetësore. Gjyqtari i çështjes ka udhëtuar nga Vlora për këtë arsye. Disa orë pas arrestimit, të premten, Gjika u shqërua me urgjencë në spitalin e Vlorës. Më pas u nis drejt Tiranës për shkak të problemeve në zemër. Ai akuzohet për falsifikim dokumentash në lidhje me dhënien e lejes për një pallat. Avokati i tij e ka quajtur arrestimin si politik.