Shpëtim Idrizi tregon detajet mbi përplasjet e djeshme

Policia gjobiti dhe nisi procedim penal ndaj drejtuesve kryesorë të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda si dhe 16 personave të tjerë, të cilët organizuan dhe zhvilluan tubimin kundër qasjes së qeverisë ndaj vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë në Tiranë, Nikos Dendias. Kryetari i PDIU-së, Shpëtimi Idrizi i pranishëm në studion e “Ilva Now”, tha se vendimi për ta dërguar çështjen e kufirit detar me Greqinë në Gjykatë Ndërkombëtare të Hagës ka një paqartësi të madhe. Idrizi theksoi edhe se ky është një “moment shumë delikat dhe i gabuar për Shqipërinë”.

“Ne po shkojnë në variantin e palës greke. Besoj e mbani mend z. Berisha kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen dhe tha ta çojmë në një gjykatë ndërkombëtare. Pastaj këtë tezë e përmendi znj Bakojanis (ish-ministrja e Jashtme greke). Ndërkohë në vitin 2018, kur u takuan Bushati dhe Kocias u tha se ishin pranë marrëveshjes. Ndërkohë në një moment kur shkoi dhe hëngri një darkë të bukur në Greqi dhe që nuk e di se si mund të hash një darkë të bukur me një kryeministrin e një vendi që ka ligj lufte dhe nuk njeh Kosovën, na u dha një zgjidhje që e kthen në pozicionin e Berishës që e ka anatemuar gjithë këto vite”, deklaroi kreu i PDIU-së.

Sipas Idrizit, Shqipëria nuk ka asnjë ngutje për të zgjidhur çështjen e detit me Greqinë, duke kujtuar se negociatat e kësaj të fundit me Italinë kanë zgjatur 41 vjet. Ai gjithashtu thekson se, mbetet për t’u qartësuar se cila do të jetë çështja që do të diskutohet në Hagë pasi kufiri detar mes dy vendeve është përcaktuar dhe për t’u diskutuar mbetet vetëm zona ekonomike dhe shelfi kontinental.

“Kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë vendosur në vitin 1913, janë sanksionuar 1925 me Traktatin e Firencës dhe janë delimituar nga Komisioni për Delimitimin i ngritur 1915-26. Që do të thotë që janë delimituar kufijtë. Nëse shkojmë tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, thotë se Shqipëria ushtron sovranitet të plotë të ujërave territoriale të njohur nga këto dokumente ndërkombëtare dhe thotë se, Greqia dhe Shqipëria duhet të bisedojnë për zonën ekonomike dhe shelfin kontinental”, theksoi kreu i PDIU-së.

SHKARKO APP