Shpulla e Arvizu për Berishën: S’është faji im që është prishur me gjithë ambasadorët e SHBA!

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka rrëfyer marrëdhënien e vështirë me Sali Berishën. Fillimisht ai ka komentuar përse përdori temrin SHQUP për PD­në, që nga Berisha u cilësua si fyerje.

“Kam nja dy komente. Ka kohë që kam hequr dorë nga përpjekja për të shpjeguar si apo pse Z. Berisha sillet ashtu siç sillet. Në lidhje me referencën për SHQUP, është e qartë që nuk synonte të tregonte mungesë respekti. Me sa kuptoj, ajo ka qenë ndërtesa e vjetër SHQUP. Kësaj ambasade i referohet shpesh si ‘Rruga e Elbasanit.’Selia e vjetër e PD ishte ‘Selia Blu,’ më duket. Ma merr mendja, do quhej Selia Blu e Re ose diçka e tillë. Kam dëgjuar t’i referohet si SHQUP dhe ky ka qenë konteksti. Nëse problemi është se e përdor Z. Rama, atëherë me sa duket nuk mund të them asgjë që e thotë edhe Z. Rama”, thotë Arvizu në një intervistë për “Mapo”.

Ai thotë se Berisha është prishur me të gjithë ambasadorët amerikanë, dhe për këtë faji duhet të shikohet pikërisht tek ai.

“Në lidhje me Z. Berisha, përpara se të vija këtu, kisha dëgjuar nga shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara, por sigurisht edhe nga njerëz këtu në Shqipëri, lidhur me marrëdhënien e tij, historinë e tij me ambasadorët amerikanë dhe si kushdo që është i ri, isha i vendosur që të ishte ndryshe, që mandati im ishte sigurisht të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara dhe kjo sigurisht përfshin të punosh me qeverinë e zgjedhur të Republikës së Shqipërisë sa të mundesh dhe në atë kohë Z. Berisha ishte Kryeministër. Nuk kemi pse t’i kthehemi gjithë historisë së 2011, por mendoj se mora shumë kritika nga kundërshtarët e Z. Berisha për këtë arsye. Nuk bëra ndonjë shfajësim atëherë dhe sigurisht s’kam ndërmend ta bëj tani. Ua lë njerëzve të vlerësojnë, ndërsa unë largohem, se si do ta karakterizojnë marrëdhënien time me të apo me politikanë të tjerë. Por, mendoj që në fund, njerëzit duhet të pyesin: A ka ndonjë cen të brendshëm në sistemin amerikan që zgjedhin këta ambasadorë që arrijnë me qëllime të caktuara dhe pastaj largohen me një histori të caktuar? A ka ndonjë gjë të gabuar në themel tek këta individë, përfshi edhe mua, apo mos problemi qëndron diku tjetër?”, thotë ai.

Megjithatë, ai thotë se debatet më të nxehta i ka pasur me Ramën në kohën kur ky i fundit ishte në opozitë.

“Kur kthej sytë pas në katër vitet, debatet, argumentet më të vështira, më të nxehta që kam pasur me ndokënd, privatisht, ishin me Edi Ramën. Më kujtohet një herë, ishim në zyrën e tij në PS; ishte një çast qetësie totale, më pa në sy dhe më tha: “Nuk më besohet që sapo e the këtë”. Iu përgjigja: “Edhe vetë jam pak i habitur që e thashë”. Pra, kemi pasur dallime të vërteta, por për një kombinim arsyesh, gjërat ndryshuan. Mendoj se pikëpamjet e mia, pozicioni im, përfaqësimi i Shteteve të Bashkuara, ka qenë shumë konsekuent, qoftë në 2011, 2012, 2013, 2014 dhe duke ecur drejt 2015. Nuk mendoj se ka ndryshuar. Por fakti që tani ai është Kryeministër, kemi diçka që do e quaja një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunuese, komunikim të mirë – prapë nuk biem dakord për gjithçka – por në pikëpamjen time, ai ose të paktën ne kemi kapacitetin të biem dakord për të mos rënë dakord. Dhe kjo është diçka që unë, dhe ambasada e kemi edhe me kryetarin e LSI, Kryetarin e Parlamentit. Është një cilësi e rëndësishme. Pra, bravo atyre dhe jam i kënaqur për këtë. Kështu duhet të jetë partneriteti i vërtetë”, e mbyll Arvizu.(Express)

SHKARKO APP