Shqipëria 13 vite në NATO! Lindita Nikolla: Me qindra ushtarakë shqiptarë kanë shërbyer në misionet e Aleancës
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka përshëndetur sot 13-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.
“Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj proporcional dhe thelbësor, si një anëtare e denjë e NATO-s, në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajone të ndryshme: në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë; në ISAF dhe Misionin Resolute Support në Afganistan; në misionet detare në Egje; në Prezencën e Përparuar të Përforcuar të NATO-s në Letoni etj. Gjithashtu, Forcat tona të Armatosura kënë qenë dhe janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje- Hercegovinë, Sudani i Jugut, në operacionin ushtarak UNMISS të OKB-së etj. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim, profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në misionet e Forcave të Armatosura në kuadër të Aleancës. Sot kujtojmë me respekt Dëshmorët e Atdheut, Kapiten Feti Vogli, Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, në misionet ushtarake në Afganistan dhe Letoni, si Dëshmorë të Paqes, për një botë më të sigurt“, shkruan ajo.