Shqipëria, 51 deputetë për 1 milion banorë; Italia 16; Gjermania vetëm 8
Me një mesatare 51 deputetë për 1 milion banorë, Shqipëria, zyrtarisht ndër vendet më të varfra të Europës, renditet në vendet e para në kontinent për barrën monetare që u shkakton qytetarëve mbajtja e parlamentarëve. Italia ka vetëm 16 deputetë për 1 milion banorë, kurse Gjermania… vetëm 8!
951 parlamentarë italianë po përgatiten për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës Italiane duke nisur nga 29 janari.
Janë 945 deputetë dhe senatorë të zgjedhur me votë plus 5 senatorë të përjetshëm. Italia është vendi i dytë në Europë për numrin e përfaqësuesve parlamentarë pas Mbretërisë së Bashkuar (1495). Numri i lartë i këtyre të fundit është shpesh temë debatesh në vendet e BEsë duke qenë se pagat, dietat dhe benefitet e tjera thuajse përherë të ekzagjeruara të përfaqësuesve parlamentarë u kushtojnë shumë taksapaguesve.
Dhe megjithëse Shqipëria renditet jo në vendet e para për numrin e deputetëve ajo është thuajse e para për numrin më të lartë të deputetëve për banorë.
Italia ka vërtet rreth 1 mijë të tillë, por në raport me numrin e popullsisë ajo ka vetëm 16 parlamentarë për çdo 1 milion banorë. Portugalia ka 22 parlamentarë për çdo 1 milion banorë. Zvicra dhe Kroacia kanë nga 36, kurse Shqipëria ka 51 deputetë për çdo 1 milion banorë dhe në këtë pikë ia merr vetëm Maqedonia me 59 deputetë për çdo 1 milion banorë (!).
Kurse Gjermania ka vetëm 8 për 1 milion.