Shqipëria e zaptuar nga uji dhe bora, kurse “Udhëheqësi Rajonal” Edi Rama po “zgjidh” sherret mes Turqisë dhe Greqisë!

Ditët e para të vitit 2021 kanë nisur me dimër të ashpër. Gjatë dy ditëve të fundit, reshjet e shiut dhe të borës kanë bërë që shumë rrethe të përmbyten apo bllokohen. Ndërkohë qeveria ka ikur e gjitha në Turqi dhe sot “lideri rajonal” Edi Rama, pasi ka lumturuar Shqipërinë, po zgjidh në Athinë sherret mes Turqisë dhe Greqisë!

Reshjet e shiut e kthyen Vlorën dhe bulevardin kryesor të saj në një zgjatim të detit. Përmbytja e rrugëve kryesore në Vlorë është një fenomen jo i zakontë dhe që lidhet me investimet e dështuara që kanë bërë qeveritë. Një javë më parë, kryeministri foli për miliona euro projekte që i kanë ndryshuar qytetit pamjen. Ndërkohë dje pak disa orësh shi, e vetmja mënyrë për të kaluar në qytet ishte që të merrnin varkat e peshkimit. Përmbytjet u panë dje si asnjëherë dhe në qytetin e Durrësit dhe Shijakut. Zonat ku këto vite janë ndërtuar pallate dhe është hedhur vetëm beton u kthyen në liqene pisllëku dhe uji të ndotur. Në Gjirokastër, reshjet e shiut rrezikonin shembjen e një pallati të dëmtuar nga punimet e bashkisë në rrugë disa muaj më parë. Banorët nuk kanë më asnjë shpresë nga qeveria, por urojnë që të shpëtojnë nga Zoti. Diga e Lumit të Viroit që çdo vite “ha” miliona lekë, kurse dje rrezikonte të gjitha prodhimet bujqësore të banorëve.  Në Sarandë, reshjet e shiut shembën një pjesë të rrugës që kryesore hyrëse të këtij qyteti. Ndërkohë në Berat, Elbasan dhe Fier, rrezik i përmbytjeve është gjithmonë i pranishëm.  Një pjesë e mirë e qyteteve të Jugut dhe Shqipërisë së Mesme kërcënohen nga përmbytjet dhe nga reshjet që po shkatërrojnë rrugët.

Ndërkohë në Veri, reshjet e para të dëborës kanë sjellë izolimin e zonave të tëra. Banorët e Thethit, që kryeministri dhe ministrat e cilësojnë me të drejtë si perla e turizmit malor, dje lëshuan alarmin për izolim disa ditorë. Rrugët janë bllokuar dhe banorët nuk mund të dalin dhe askush nuk shkon për tu dhënë ndihmë. Ndërkohë veç borës, banorët duhet të përballen dhe mungesën e energjisë elektrike. Edhe pse ka 30 vjet që flitet për Thethin dhe turizmin malor, banorët janë ende në kushtet kur ndriçohen me qirinj dhe qëndrojnë të izoluar me javë të tëra në dimër. Reshjet e para të borës kanë sjellë dhe probleme në Tropojë dhe në Pukë.

Përmbytjet dhe bllokimet nga bora nuk janë ngjarje që ndodhin vetëm për shkak të egërsisë së dimrit. Qytetarët e Vlorës dhe Durrësit, nuk kanë pasur ndonjëherë telashet kaq të mëdha me të cilat po përballen sot me përmbytjet. Ajo që e bën dhe më serioze situatën është se qeveria, këto tetë vite, investoi qindra milionë euro për të famshëm Rilindja Urbane. Miliona euro u dhanë pa asnjë kriter në projekte dhe investime që do i bënin qytetet më të bukura dhe më të jetueshme nga qytetarët. Qeveria e quan Rilindje një histori suksesi, kur në fakt problemet e sotme të qyteteve janë dhe më të rënda se më parë. Përmbytjet në Vlorë dhe bllokimet në Veri, vetëm pas disa orëve shi dhe borë tregojnë se e suksesshme ka qenë vetëm vjedhja e lekëve të projekteve.  Kjo që po shohim këto dy ditë në disa zona të vendit me përmbytje dhe bllokime duket se është vetëm fillimi. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se na pret një javë kritike për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Sipas njoftimi zyrtar të Gjeoshkencave priten përmbytje në lumenjtë, Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Ndërkohë që ministrat dhe institucionet mburren me suksese imagjinare në Facebook është koha të shohin çfarë po ndodhë në terren dhe çfarë masash janë marrë për të ndihmuar qytetarët.

Gjatë dy ditëve të fundit, reshjet e shiut dhe të borës kanë bërë që shumë rrethe të përmbyten apo bllokohen. Ndërkohë qeveria ka ikur e gjitha në Turqi dhe sot “lideri rajonal” Edi Rama, pasi ka lumturuar Shqipërinë, po zgjidhë në Athinë sherret mes Turqisë dhe Greqisë!

Lexoni edhe…

SHKARKO APP