Shqipëria firmos marrëveshjen për ekstradimet me SHBA, Ministrja e Drejtësisë: Ngjarje historike

Shqipëria ka firmosur sot një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ekstradimet. Marrëveshja është firmosur në një ceremoni të organizuar në pallatin e Brigadave nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Ministrja Gjonaj e cilësoi një ngjarje historike dhe tha se është një sinjal i qartë ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.

Është një ngjarje historike që shënon një hap të ri bashkëpunimi gjyqësor. Jemi mbledhur për të nënshkruar marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve pas 100 vjetësh nga marrëveshja e parë. Marrëveshja e re zëvendëson traktatin dypalësh të ekstradimit i firmosur nga Faik Konica në vitin 1933. Kjo marrëveshje është rezultat i një punë të gjatë dhe një bashkëpunimi shumë të ngushtë. Me marrëveshjen e re realizojmë përditësimin dhe kategorizimin e veprave penale mbi bazën e të cilave kërkohet ekstradimi”, deklaroi Gjonaj.

Ndërsa, ambasadorja Yuri Kim, gjatë fjalës së saj, deklaroi se kjo marrëveshje është dëshmi e një partneriti të gjatë mes dy vendeve, që sipas saj godet kriminelët që fshihen pas kufijve.

Është nder i madh për mua që të nënshkruajmë këtë traktat, mes SHBA dhe Shqipërisë, që është dëshmia e fundit e partneritet mes dy vendeve. Ky traktat u nënshkrua 87 vite më parë, në 1 mars 1933. Kjo ishte një kohë kur Shqipëria ishte Mbretëri, dhe jo Republikë. Ky traktat siguron një kornizë për t’u përballur me krimin. Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. Personat e kërkuar për ndjekje penale për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati. SHBA ka luajtur rolin si një partnerë efikase. Sa më efikase të jetë Shqipëria për të ndjekur krimin ndërkombëtar, do të jetë afër integrimit. SHBA do të jenë afër Shqipërisë, pavarësisht sfidave që përballet”, deklaroi ambasadorja Kim.

SHKARKO APP