Shqipëria firmos marrëveshjen për sigurinë kibernetike me kompaninë e ish-gjeneralit të NATO-s

Shqipëria ka firmosur një marrëveshje me kompaninë amerikane “Jones International”, për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale.

Kjo kompani drejtohet nga James Logan Jones Jr, një ish-Gjeneral i Marinës së SHBA dhe ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Jones tha se ndihet i nderuar që do të ndihmojë Shqipërinë në luftën kibernetike dhe e cilësoi vendin tonë si një shtet mik të SHBA. Ai tha se me ndihmën që do të ofrojnë, do t’i sigurojnë shqiptarëve vende pune dhe begati.

Marrëveshja është firmosur mes ish-gjeneralit amerikan, James Logan Jones Jr., dhe ministres Belinda Balluku, ndërkohë në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e saj, Belinda Balluku tha se kjo marrëveshje do të shërbejë si udhërrëfyes i strategjisë për forcimin e sigurisë së sistemeve tona dixhitale.

Ministrja theksoi se në kohën kur po dixhitalizoheshin shërbimet për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të mos përballen me pritjet e gjata në radhë, ekspozohemi ndaj sulmeve kibernetike.

Sipas saj, sfida më e madhe sot është siguria kibernetike, linja e fundit e mbrojtjes mes informacionit tonë më jetik dhe sulmit kaotik.

Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama, në fjalën e tij, tha se e vlerëson bashkëpunimin dhe dha lajmin se do të ngrihet një qendër e madhe kombëtare për mbrojtjen kibernetike në Shqipëri, e cila sipas tij, do të jetë në shërbim të ushtrisë sonë.

Më tej, duke u referuar skandalit të pak ditëve më parë ku u publikuan pagat e mbi 694 mijë shqiptarëve, Rama theksoi se me sistemin e ri do të ketë mbrojtje shumë më të madhe të të dhënave të qytetarëve.

SHKARKO APP