Shqipëria hap negociatat për ”Tregun e Brendshëm”, Begaj: Hap i rëndësishëm, të vijojmë para me përkushtim

Presidenti Bajram Begaj, përshëndeti hapjen e grup-kapitullit të të 2-të të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vendim i marrë sot në Konferencën e Katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të mbajtur në Bruksel.
”Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian: Hapja e grupkapitullit 2 të negociatave, ‘Tregu i Brendshëm’, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Të vazhdojmë përpara me shumë përkushtim, bashkëpunim, përgjegjësi dhe më shumë punë për të ecur të palëkundur drejt anëtarësimit në BE”, shkruan Begaj.
Është zhvilluar këtë të hënë konferenca e katërt ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku u hap grupkapitulli i negociatave, “Tregu i Brendshëm”. Në tetor të 2024-ës, vendi ynë hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë, atë të kapitujve “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën dhe shtetin e së drejtës. Ndërsa më 17 dhjetor u çel grupkapitulli i marrëdhënieve me jashtë, me bisedimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.