Shqipëria me TVSH-në më të lartë në rajon, 5% më shumë se Kosova

Shqipëria aplikon një shkallë të lartë të TVSH-së në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Kjo edhe për produktet dhe shërbimet bazë siç është buka apo energjia.

Madje edhe Kosova e ka nivelin e TVSH-së 15 %, ndërsa Shqipëria e ka 20 % për çdo produkt dhe shërbim.

Sipas ‘Open Data Albania’, Shqipëria nuk duhet të përdor të njëjtin nivel TVSH-je për çdo produkt apo shërbim pasi kjo mënyrë prek direkt shtresat e varfra.

Të paktën për energjinë dhe produktet ushqimore, Qeveria duhet të mbante premtimin e nismës së saj për tatim progresiv, e cila është përdorur deri më tani vetëm për rrogat.

Kështu e argumenton situatën Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania.

"Sipas hulumtimit të Open Data Albania rezulton se vendet kanë një shkallë standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar ku Shqipëria qëndron e pozicionuar ndër vendet me nivel të lartë të TVSH-së krahasuar me rajonin. Vetëm Kroacia ka një nivel tatimi mbi vlerën e shtuar më të lartë se Shqipëria. Vende si Serbia, Shqipëria, dhe Bullgaria përdorin një tatim në shkallë standarde prej 20 %. Tani ku qëndron ndryshimi mes këtyre vendeve. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe ndoshta ndër të vetmet vende bashkë me Hungarinë dhe me ndonjë vend tjetër të ngjashëm në hartën europiane e cila aplikon TVSH standarde dhe mbi produkte si buka, produketet ushqimore apo energjia elektrike," tha Aranita Brahaj, drejtoreshe e Open Data Albania.

Brahaj shton më tej se nëse Shqipëria nuk mundet ta bëjë TVSH-në për bukën zero apo të ul TVSH-në për energjinë, të paktën ti afrohet Kosovës, që e ka 10.5%.

Sipas studimeve në tërë Evropën mesatarja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet ushqimore është 13 %.

“Konkretisht Shqipëria ka një shkallë standarde të TVSH 20 %, Kosova ka një shkallë standarde tek 15 %. Dhe çfarë ndodh më tej, si realizohet më tutje, të dy këto vende të paktën Shqipëria kur vjen puna për ushqimet përdorin të njëjtën shkallë, pra 20 % . Tatimi mbi vlerën e shtuar është tatimi kryesor që do të duhej ti nënshtrohej një procesi të tatimit progresiv kundrejt tatimit standard apo tatimit të sheshtë sespe është tatimi që prek shtresat në nevojë. Mesatarja e të gjithë vendeve të Europës është 13 % për tatimin mbi vlerën e shtuar mbi bukën. Në qoftë se Shqipëria do të tentonte vërtet të kishte një tatim progresiv, ku ata që janë më të varfër paguajnë më pak dhe ata që janë më të pasur paguajnë më shumë ky do të fillonte pikërisht me tatimin mbi vlerën e shtuar mbi produktet ushqimore. Ushqimet, shporta bazë, do të duhej të kishte në mos një TVSH zero të paktën Shqipëria ti afrohej modelit kosovar ku TVSH për produktet ushqimore është 10.5 %,” tha më tej Aranita Brahaj.

SHKARKO APP