Shqipëria në BE? Brukseli: Kapni ”peshqit e mëdhenj”
Nga: Redjon Shtylla
Puna e deritanishme që SPAK ka bërë, nuk është e mjaftueshme për Bashkimin Europian, pasi ata duan të shohim peshqit e mëdhenj prapa hekurave, jo dhe arrestime sporadike. Investimi më i madh i SHBA-BE për të rrënuar perandorinë e krimit dhe korrupsionit, por në raportin e Komisionit Europian thuhet se SPAK nuk po godet korrupsionin në nivele të larta.
Referuar raportit kjo sjelle e SPAK-ut, nxit kulturën e mosndëshkimit në Shqipëri të pushtetarëve që vjedhin paratë dhe pasuritë publike. Në raport theksohet se korrupsioni ka pushtuar Shqipërinë.
“Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë ende mbeten të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të shtetit. Strukturat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) duhet të hetojnë dhe të ndjekin penalisht korrupsionin në të gjitha nivelet. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit, duke mbetur një çështje shqetësuese serioze”.
Brukseli po flet qartë dhe pastër, pasi SPAK nuk është ngritur për të arrestuar pushtetarë periferikë dhe drejtorë figurantë, por ka si detyrë për të goditur krerët e korrupsionit në Shqipëri, madje puna e tyre është e vonuar.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje që negociatat për anëtarësim mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë duhet të nisin pa u vonuar më shumë, sërisht ka shumë kritere që vendi nuk i ka plotësuar. Nënkryetarja e PD-së, dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku shprehet se qeveria duhet të heqë dorë nga armiqtë imagjinarë dhe të angazhohet për përmbushjen e kritereve.
Kurse deputeti socialist Taulant Balla theksoi se Komisioni konfirmoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet, ku edhe shtoi se konferenca e parë ndërqeveritare mund të mbahet brenda muajit dhjetor.
Kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Raportet po duken një lojë për të mbajtur gjallë frymën pro-europiane në vend, por pritja e stërgjatë e lodh popullin dhe politikën.