Shqipëria ”peng” i vrasjeve

Nga: Redjon Shtylla

Në ditët e fundit janë shënuar ngjarje të frikshme kriminale. Vrasje, atentate dhe krime brenda familjes kanë rikthyer pasigurinë në vend. Situata nuk është e panjohur, pasi për shumë vite rendi është në duart e të ”fortëve” që vrasin dhe nuk kapen dhe shqetësues është fakti që ende nuk ka përmirësim të sigurisë në vend.

Krimi më i fundit në familje ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku nipi vrau xhaxhain dhe më pas veten. Ngjarja tragjike ndodhi në fshatin Mekat të Vlorës, dhe zanafillën e sherrit e ka që para 10 viteve. Nipi Genci Koreta kishte punuar në Greqi me djalin e Jorgji Koretës që humbi jetën në punë. Ai ka qenë pranë kushëririt në momentin kur ra nga skela dhe burime thonë se shpesh akuzohej nga familja e xhaxhait të tij se përse nuk e shmangu dot vdekjen e të birit.

Atentati që i mori jetën 57-vjeçarit, Demir Backa në Fier, ende nuk ka autor të arrestuar. Backa u qëllua nga një makinë tip “Benz” në lëvizje, ndërsa ai ndodhej në makinën e tij. Menjëherë pas atentatit ekzekutorët janë larguar dhe kanë djegur makinën në fshatin Daullas. Në vendngjarje policia ka gjetur një armë tip kallashnikov dhe një pistoletë, të dyja pjesërisht të djegura. 57-vjeçari është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, Medi Backa, i cili mbeti i vrarë pas grabitjes së një banke në vitin 1997.

Vrasje, ekzekutim, atentat, banda, hakëmarrje etj, janë fjalët që përshkruajnë situatën ku ndodhet Elbasani. Në atentatin ndaj Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit në këtë qytet, është qëlluar me mbi 15 plumba. Bitri edhe Çollaku lëviznin me makinë të blinduara dhe autorët kanë pritur pikërisht momentin që ata kanë qenë në këmbë për t’i qëlluar. Pista që po hetohet aktualisht është ajo e larjeve të hesapeve.

Shqipëria prej kohësh është nën ndikimin e pushtetit të bandave dhe grupeve rivale që vrasin, por këto banda ndër vite kanë pasur edhe mbështetjen e partive politike, edhe pse kurrë nuk është folur hapur. Bandat dhe grupet mafioze nuk pyes për shtet, gjakun nuk e falin, tradhëtitë jo dhe hakëmerren edhe nën sytë e Policisë së Shtetit.

Indeksi Global i Krimit e rendit Shqipërinë ndër 70 vendet me kriminalitet të lartë dhe me aftësi të vogla për ta përballuar e luftuar atë. Krimi i organizuar shqiptar po shkon drejt financave përmes zyrtarëve të lartë, por edhe me bashkëpunimin e sistemit të drejtësisë. Këto grupe kanë krijuar një zinxhir të tërë që nga investimi, magazinimi, transporti e shpërndarja e lëndëve narkotike.

SHKARKO APP