”Shqipëria si Sri Lanka”, Berisha: Bandat e Ramës përdorin edhe të vdekurit. Situata është alarmante
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me krerët e degëve të PD në Tiranë pasditen e kësaj të marte, ndër të tjera komentoi aferën korruptive të inceneratorëve dhe skemën e evazionit fiskal ku bandat kriminale pranë qeverisë kanë përdorur edhe firmat e të vdekurve për të grabitur paratë. Berisha e lidhi me situatën në Sri Lanka, atje ku udhëheqësit dhanë dorëheqjen pasi qytetarët u ngritën kundër korrupsionit qeveritar.
”Ngjan shumë Shqipëria me Sri Lankën. Ajo që patë në Sri Lanka dhe kjo që po ndodh në Shqipëri, kanë të njëjtat shkaqe. Sri Lanka para dy vitesh kishte borxhin 91 për qind, sot e ka 190 për qind.
Shqipëria para 1 viti e kishte 81 për qind, sot e ka 107 për qind. Rritja e borxhit është më e shpejtë se atje në Sri Lanka për të përfunduar me 130 në fund të vitit. Në Sri Lanka, paratë e vjedhura ishin futur nëpër valixhe në pallatin presidencial, këtu vendosen në konto bankare të të vdekurve e pensionistëve, dhe plus qindra milionë në banka off shore.
Në Shqipëri më shumë se në Sri Lanka u rritën çmimet nga vjedhja e qeverisë. Sirenat e alarmit po bien në çdo familje shqiptare. Të gjithë presin nga ne”.