”Shqiptarët e blejnë naftën më shtrenjtë se në Luksenburg”, Tedi Blushi: Të hiqet taksa e qarkullimit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka analizuar situatën në vend, me atë në Luksemburg, ku thotë se shqiptarët që janë me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg, sot e blejnë naftën më shtrenjtë. Ndaj edhe nënvizon përmes një postimi në facebook, se miratimi sa më parë në Kuvend i nismës ligjore të Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit është e vetmja zgjidhje për të ulur çmimin e karburanteve.
Postimi i plotë
Në Shqipëri, vendin më të varfër të Europës, ku paga minimale është 291 euro dhe 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak ose deri në 5.5 dollarë në ditë, sot 1 litër naftë shitet 1.91 euro. Në Luksemburg, vendin me pagën minimale 2,202 euro, më të lartën në të gjithë Bashkimin Europian, sot 1 litër naftë shitet me 1,77 euro.
Shqiptarët me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg e blejnë sot naftën më shtrenjtë sepse në krye kanë një Qeveri që i vjedh papushim çdo ditë. Tani edhe me vendime të Bordit të Hajdutëve, që ka vetëm një qëllim: Të zbrazin xhepat e qytetarëve për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe arkën e Qeverisë, që të financojnë grabitjen përmes inceneratorëve dhe koncensioneve.
Miratimi sa më parë në Kuvend i nismës ligjore të Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit është e vetmja zgjidhje për të ulur çmimin e karburanteve! Shurdhësia, babëzia, paligjshmëria dhe korrupsioni i Qeverisë po i zhyt shqiptarët në varfëri të thellë!