Shqiptarët harrojnë Covid-19, ”arratisen” me pushime në Turqi dhe Egjipt
Duket sikur jemi në një realitet ndryshe nga situata globale. Pandemia nga Covid-19, nuk i ka frenuar shqiptarët që të udhëtojnë jashtë për pushime. Hapja e kufijve ka sjellë përgatitjten e valixheve për plazhet e Turqisë. Agim Mehmeti, drejtues i Vas Tour Operator, tha për “Monitor Ekonomi”, se krahas Turqisë, një tjetër destinacion është dhe Egjipti.
”E quajmë realisht fatmirësi që kemi pasur mundësi të kthehemi të paktën me dy nga destinacionet tona kryesore, Turqinë, ku prej datës 14 korrik jemi rikthyer me fluturimet çarter të drejtpërdrejta katër herë në javë dhe destinacioni i dytë, Egjipti, që në kalkulimet që ne kishim bërë ishte e pamundur të futeshim me linja direkte për këtë vit, por e kemi hapur me fluturimet tranzit nëpërmjet Stambollit. Referuar pritshmërive tona të 2020 duhet të kënaqemi edhe me pak. Nëse ne bëjmë një analizë shifrore, jemi tejet larg asaj se çfarë ka ndodhur në 2018 dhe 2019. Kur them jemi tejet larg, po flas për një shifër që nuk do ta kalojë në pritshmërinë e vet më të mirë 20-25% të volumit të vitit 2019”.
Qarkullimi nuk është shumë i lartë, siç do të ishte kjo periudhë vere në kushte normale, por megjithatë fluturimet janë të përjavshme drejt destinacioneve që presin shqiptarë. Oferta në destinacionet turistike turke ka qenë e kënaqshme dhe me një ulje të lehtë çmimesh krahasuar me një vit më parë. Sipas aktorëve të tregut, resortet shqiptare duhet ta kishin shfrytëzuar këtë moment pandemie për të mbajtur pushuesit brenda vendit, duke iu ofruar atyre shërbime më cilësore dhe duke ndryshuar mënyrën si kanë funksionuar deri tani.