”Shqiptarët jo pushtues”, Presidenti Begaj thirrje qeverisë britanike në Kukës: Jepuni viza dhe si punëtorë sezonalë
Teksa dënon etiketimin e shqiptarëve si pushtues nga ana e sekretares së Brendshme të Britanisë, nga Kukësi Presidenti Bajram Begaj tha se në këtë qytet të hapet një mikro-konsullatë dhe që qytetarët të ikin me viza të rregullta të përkohshme.
“Natyrisht nuk jam dakord me deklaratat e bëra nga Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk mund të anatemohen dhe të etikohen shqiptarët si pushtues. Shqiptarët jetojnë e punojnë kudo në botë, janë integruar me shumë vende të botës, edhe në Britaninë e Madhe dhe kanë ndërtuar jetën e tyre duke paguar taksa dhe duke punuar në mënyrë të rregullt. Nuk është e drejtë të bullizohen.
Natyrisht që ka edhe elemente anësorë të padëshiruar të cilët mund të kenë lidhje me aktivitete të jashtëligjshme, por gjithsesi këta nuk janë vetëm shqiptarë. I kam kërkuar qeverisë së Britanisë së Madhe që investimet e saj ti bëjë në drejtim të këtyre zonave ku ka më shumë emigrantë dhe për faktin se problemi duhet të evidentohet dhe pas evidentimit, duhet të analizohen shkaqet dhe të gjenden rrugët e duhura për ta adresuar këtë situatë.
Rruga e duhur për mua dhe kërkesë e imja ndaj tyre, lidhet me faktin se investimet e qeverisë britanike në këtë rajon të bëhen të tilla që të jenë të prekshme për qytetarin, pra të jenë investime që do të bëjnë të mundur që qytetarë që ikin për një jetë më të mirë të mund jetojnë e të punojnë në Kukës, Dibër, Tropojë apo Has. Një kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me hapjen e një mikro-konsullate angleze në Kukës që të bëjë të mundur që qytetarët të ikin me viza të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonalë”.
I pyetur lidhur me situatën në veri të Kosovës, kreu i shtetit tha se me dialog arrihet zgjidhja e problemit. Për të shqiptarët si një komb duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Mesazhi im për autoritetet në veri të Kosovës është të ruhet qetësia, të vazhdojë dialogu sepse vetëm përmes dialogut arrihet zgjidhja e problemit. Siguria në tërësi globale është e cënuar. Siç e dini, sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të ç’orientohet e gjithë situata e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor që unë e vlerësoj një situatë të qetë, por shumë të brishtë dhe në çdo kohë mund të ketë tension. Shqiptarët si një komb duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, ne duhet të garantojmë se jemi pro paqes dhe jo pro luftës dhe të promovojmë zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”.