Shqiptarët me gomone, Rama merr një telefonatë nga kryeministri Rishi Sunak. Zbardhen detajet
Shqetësimi i qeverisë së Britanisë së Madhe për emigrantët, sidomos ata shqiptarë do të bëjë që kryeministri britanik Rishi Sunak, të zhvillojë këtë të enjte një telefonatë me homologun Edi Rama. Një zëdhënës i kryeministrisë angleze ”10 Downing Street”, i tha Top Channel se udhëheqësit e dy vendeve diskutuan për partneritetin e ngushtë dhe të gjatë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Në qendër të bisedës telefonike është angazhimi për të forcuar më tej bashkëpunimin në tregti, investime dhe në mbrojtje, përfshirë edhe sigurinë kibernetike. Kryeministri britanik Sunak, pranoi kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në Britani, por të dy liderët ranë dakord se duhet bërë më shumë për të trajtuar migracionin ilegal dhe për të luftuar së bashku krimin e organizuar.
Ata diskutuan edhe lidhur me planet për të rritur bashkëpunimin në zgjidhjen e sfidave e përbashkëta, ku kryeson migracioni dhe azil-kërkim nga pala shqiptare në tokën britanike.
Me dëshirën për të bashkëpunuar, udhëheqësit e dy vendeve treguan gatishmërinë për të thelluar më tej marrëdhëniet Britani e Madhe-Shqipëri. Kryeministri Edi Rama e ka përsëritur thirrjen ndaj shqiptarëve për mos ta vënë jetën në rrezik e shkuar me gomone në Angli.