Shqiptarët në Greqi protestë për hapjen e plotë të kufijve
Në një kohë që Shqipëria e ka fituar sfidën e madhe me Covid-19, pasi lufta vijon dhe ka hapur portat për të gjithë turistët nga e gjitha bota, Athina vazhdon masat ekstreme ndaj vendit tonë. Pa justifikim, qeveria greke ka vendosur të lërë të pa ndryshuara masat dhe të mbajë të mbyllura doganat që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Turqinë.
Ndaj dhe Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi do të mbajë një protestë ditën e nesërme për hapjen e plotë të kufijve. Fillimisht nga autoritetet greke u njoftua se data 13 Maj do të ishte data e hapjes së madhe por nuk rezultoi e tillë.
Më herët emigrantët shqiptarë kërkuan të ktheheshin në atdhe për ditën e votimeve por edhe për festën e Pashkëve. Tashmë emigrantët kërkojnë hapjen e plotë të kufijve për pushimet verore. “Komuniteti Shqiptar në protestë për hapjen e kufijve. Të gjithë nesër në orën 18:00 në Sheshin Sintagma. Hapni kufijtë si gjithë të tjerët. Na lejoni të shkojmë në Atdheun tonë”.