Shtatori i ”nxehtë” i PD dhe viti i 11-të në opozitë
Nga Redjon Shtylla
Pushimet e verës mbaruan, por jo thirrjet për protestë dhe qeveri teknike. Por këto thirrje dëgjohen vetëm mbrëmjeve nga ballkoni i Sali Berishës, që vijon në izolim që prej 30 dhjetorit 2023. Ditën, fokusi i aksionit politik dhe parlamentar i demokratëve do të jetë një tjetër. ”Motoja jonë e aksionit politik dhe parlamentar do të jetë, nuk ka zgjidhje pa zgjedhje të lira dhe të ndershme”,-tha kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Garancitë për zgjedhje të lira, për momentin kërkojnë t’i marrin jo me protesta dhe as me bllokim seance, por në tryezën e dialogut me mazhorancën. ”Do duhet të vijojë dialogu për të përmbyllur reformën kuptimplotë zgjedhore. Shëmtinë e zgjedhjeve që kemi para gjatë gjithë kohës që qeveris Edi Rama ku diktoi paratë e pista të korrupsionit apo krimi i organizuar Shqipëria duhet ta lërë pas”.
Opozita do të kërkojë ngritjen e dy komisioneve hetimore, për teatrin dhe pronat në bregdetin e jugut, për të cilat kanë vënë nën akuzë dhe familjarë të kryeministrit. Nuk do heqin dorë as nga interpelancat. ”Një prej të cilës e kemi depozituar atë për mbetjet e rrezikshme me kryeministrin Edi Rama”,–tha më tej Bardhi. Apelit për mbledhje në seli të grupit që kontrollohet nga Sali Berisha, për herë të parë iu përgjigj edhe Jorida Tabaku.
Partia Demokratike dhe partitë aleate me të, po përgatiten për të 11-tin vit rradhëzi, për të qenë opozitë e qeverisë në Parlamentin e Shqipërisë. Në këto 11 vite, PD-ja ka treguar qetësi, agresivitet, përplasje dhe shumë protesta të forta. Në këto 11 vite është treguar më shumë se një herë se kur populli e dëshiron ndryshim e arrin atë, dhe PD-ja është në këtë mandat në sfidën më të madhe, të luftës me qeverinë, apo të bashëpunimit me Ramën, dhe Berisha të mbetet përgjithmonë opozitar në izolim.
Që PD të mos mbesë opozitë, duhet të shuajë njëherë e mirë debatet brenda, pasi kaq shumë debate janë veç se lajme për mediat dhe goditje për PD. Që PD të mos mbesë opozitë, duhet të shoh përpara dhe të denoncojë çdo abuzim të qeverisë, me fakte, prova dhe akuza konkrete.
Që PD të mos mbesë opozitë përjetë, duhet që mbi 622 mijë votat e marra më 25 prill 2021, brenda një kohe të shkurtër ti bëjë 800 mijë.
Që PD të mos mbesë opozitë, duhet që të mbajë frymën e ndryshimit që populli e do, por nuk ka besim. Që PD të mos mbesë opozitë, duhet të mos përçahet me PL-në, pasi në zgjedhje kjo forcë mori mbi 100 mijë vota, edhe pse ndryshimet në ligje e dërrmuan.
Që PD të mos mbesë opozitë, zërat e quajtur kritikë ti afrojë, ti mbajë pranë vetes. Të jetë një PD si PS, që është një trup, një mendje dhe një mënyrë e të punuarit. Veç se bashkë, pa devijime dhe pa rrëmunjë, PD-ja ka shumë shance që të mos mbesë opozitë.