Shtatori rikthen debatin për “zgjedhoren”, KQZ-ja e re brenda 19 tetorit
Organi i ri që do të administrojë zgjedhjet duhet të ngrihet brenda datës 19 tetor. Nga hyrja në fuqi e kodit zgjedhor, Kuvendi ka 60 ditë kohë, ndërsa e gjithë puna kalon nëpërmjet një procedure të vështirë parlamentare për filtrimin e emrave nga kryekomisioneri e deri tek anëtarët e organeve. 19 tetori është afati i fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë jetë, pas vendimit të ristrukturimit të tij. Kodi Zgjedhorë në dispozitat kalimtare përcakton se ky organ duhet të ngrihet jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Një ditë më parë Kuvendi hapi procedurën për vendet vakante për Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve. Kjo thirrje do të qëndrojë e hapur deri në 18 shtator, e më pas Kuvendi do të nisë procedurën e përzgjedhjes në bazë të Kodit Zgjedhor. Neni 17 i Kodit Zgjedhor përcakton procedure e përzgjedhjes së trupës së re, ndërsa në pikën 3 parashikohet ngritja e një Komisioni Parlamentar që vlerëson me pikë kandidatët që plotësojnë kushte dhe listën ja kalon për votim Kuvendit. Komisioni i Posaçëm Parlamentar krijohet me përfaqësim proporcional nga çdo grup parlamentar. Por ky sanksion vlen për të ardhmen pasi procedura aktuale rregullohet me dispozita kalimtare, kjo për të bërë pjesë të procesit Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Këto forca politike jashtë parlamentare në Komision do të përfaqësohen me një të deleguar të posaçëm, i cili ka këto detyra konkrete: “Komisioni parlamentar përzgjedh tre kandidatë nga lista e kandidatëve për komisioner, të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret e këtij ligji për komisionerin. I dërguari i posaçëm eliminon njërën nga kandidaturat e përzgjedhura. I dërguari i posaçëm ka të drejtë të përzgjedhë tre kandidatë nga lista e kandidatëve për nënkomisioner, të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret e këtij ligji për komisionerin. Komisioni me votim eliminon njërën nga kandidaturat e përzgjedhura. Anëtarët e Rregullatorit zgjidhen me listë të përbashkët, me pesë emra, midis kandidaturave që plotësojnë kushtet dhe kriteret e këtij ligji për Rregullatorin. I dërguari i posaçëm ka të drejtë të përfshijë dy emra kandidatësh në këtë listë. Anëtarët e KAS-it zgjidhen me listë të përbashkët, me pesë emra, midis kandidaturave që plotësojnë kushtet dhe kriteret e këtij ligji për KAS-in. I dërguari i posaçëm ka të drejtë të përfshijë dy emra kandidatësh në këtë listë”. Ky proces parlamentar për ngritjen e kqz-së së re, pritet të zhvillohet paralelisht me diskutimet në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, i cili do të nisë punën në shtator. Në këtë organ pritet të ketë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentare, pasi në kod do të reflektohen ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës që lidhen me listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.