“Shtëpia e Biznesit”, Rama thirrje sipërmarrjes: Qendër informacioni dhe bashkëveprimi me biznesin, na vini në provë

“Shtëpia e Biznesit” është struktura më e re në shërbim të dialogut mes qeverisë dhe biznesit, e vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”

Rama u kërkoi bizneseve të vënë në provë këtë shërbim të ri, ndërsa garantoi se qeveria do jetë aty për të ndihmuar ata.

“Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar nuk është staf i ministres në kuptimin formal, por është staf i ministres në kuptimin praktik. Pra, është lidhja më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë mes komunitetit dhe qeverisë që garantohet përmes Sekretarit të Përgjithshëm nga ana e Komitetit dhe ministres nga ana e qeverisë. Pra, besoj që mund ta them me plot gojën që ne jemi një staf këtu dhe unë do t’iu lutesha ju dhe gjithë atyre që na dëgjojnë dhe që janë sipërmarrës që të na vënë në provë, të na vënë në provë, pastaj nëse prova dështon, atëherë rrugët e vjetra, dyert anësore, korridoret telefonike me të njohur e me miq, – ju i dini përmendësh se ka 30 e ca vite që i keni rrahur ato rrugë për arsye të kuptueshme, – ama, duhet të na vini në prove dhe unë jam i bindur që kjo do jetë me një përfitim të madh të përbashkët. Jam i bindur që nga kjo do të përfitoni ju sepse nuk do keni nevojë të rrini të prisni një përgjigje me javë ose me muaj të tërë, nuk do keni nevojë që për të marrë atë përgjigje që ju takon ta merrni të bëni xhiro telefonike apo xhiro kafesh për të gjetur se kush është njeriu që do ta nxjerrë atë përgjigje nga penxherja se nga dera nuk del dhe nga ana tjetër. Ne do kemi mundësi që t’ju shërbejmë më mirë dhe të reagojmë ndaj situatave që krijohen”, tha Rama.

SHKARKO APP