”Shtëpia e lirisë”, Bumçi: Synojmë fitoren në të 6 bashkitë, PS e konsumuar
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Aldo Bumçi sqaroi se pse vendosën të futen në koalicion me LSI-në në zgjedhjet e 6 marsit dhe të ketë si rival PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha.
“Nuk mund të futemi në koalicion me Bashën, pasi ai nuk është parti. Projekti ynë nuk është gjasme, siç është mësuar të thoshte ai, do bëjmë këtë apo atë dhe në fund nuk bënte asgjë. Projekti ynë vendos bashkëjetesë, karrierën nuk e vendos Sali Berisha, por demokratët në këto bashki. Kjo është bashkëjetesa. Ata mund të kërkojnë të krijojnë një parti tjetër, ata nuk janë PD. Shumica e anëtarëve ishte në stadium. LSI është aleate e jona. Kur Basha u zgjodh kryetar bashkie, LSI ishte në aleancë me ne”, tha Bumçi.
Nga ana tjetër, ai nënvizon se Rithemelimi do të synojë fitoren në të 6 bashkitë ku do të mbahet zgjedhjet lokale.
”Në Shkodër ne hyjmë për të fituar. Matematika elektorale thotë se ne jemi fitues në Dibër. E njëjta gjë në Rrogozhinë, në Durrës dhe në Vorë. Ne jemi forcë që hyjmë për të fituar në të gjithë bashkitë. Ne kemi përballë një Parti Socialiste të konsumuar, ndërsa kemi një PD me entuziazëm”,-tha në ”A2cnn”.