Shtetet po rimbyllen njëra pas tjetrës, rrezikon Shqipëria? Mira Rakacolli jep detaje
Numri i të infektuarve me Covid-19, prej ditësh në Shqipëri ka ardhur në rritje, ndërsa ky tregues po shqetëson jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet shtetërore. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, thekson se situata mbetet shqetësuese pasi vihet re një shtim i personave të infektuar me Covid-19. Sipas saj, shkaktarët e kësaj situate është vetë tipologjia e virusit, por edhe përgjegjshmëria e qytetarëve, e cila nuk është në nivelin e duhur.
”Është një situatë shqetësues, sepse numrat po vijnë në rritje. Kjo situatë ka të bëjë me sjelljen e virusit në këtë stinë vjeshtë-dimër, por ka të bëjë edhe me atë se qytetarët nuk po i respektojnë masat, sidomos në këtë periudhë të rritje së rasteve”, tha ajo për ”Euronews”.
Paçka rasteve të rritje të të infektuarve, Rakacolli thotë se për momentin nuk po mendohet asnjë skenar, i cili planifikon rimbyllje.
”Ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendjen situatën. Problemi i shëndetit është problem kompleks, që është i lidhur me ekonominë, por edhe me problemet e tjera sociale. Ne nuk duam të mbyllemi krejtësisht siç bëmë në fillim. Këtë nuk e duam as ne dhe as qytetarët. Që në mos të arrijmë këtu nuk e kemi në dorë ne, por këtë e kanë në dorë qytetarët. Të përdoret maska me shumë dëshirë. Njerëzit nuk e mbajnë maskën në mënyrë korrekte, vazhdojnë të qëndrojnë me orë të zgjatura në bare e restorante dhe nuk ruajnë distancën”, u shpreh Rakacolli.