Shtohen shërbimet për Kartën e Studentit, Veliaj: Abone falas dhe përgjysmimi i kostos së konvikteve

Bashkia e Tiranës dhe Union Bank nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për Kartën e Studentit. Karta Financiare e Studentit është pjesë e paketës së Studentit, e cila ofrohet pa pagesë, dhe ofron terma dhe kushte preferenciale për të gjithë studentët në universitetet shtetërore dhe private në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj tha se tashmë mbi 60 mijë studentë përfitojnë rreth 1600 shërbime me Kartën e Studentit.

“Kemi mbi 60 mijë studentë që marrin shërbime nga Karta e Studentit dhe po shtojmë sa më shumë të tilla. Deri tani jemi diku te 1600 shërbime dhe unë e di që ndoshta, jo secili del në mëngjes dhe i merr të 1600 shërbimet, por diku merr mensën, diku kinkaleritë, diku një minimarket ose pajisjet elektronike. Bashkia e Tiranës e bëri të sajën me abonenë dhe konviktet. Unë besoj se vetëm kur sillemi të gjithë si një skuadër, dalim të gjithë fitimtarë, në një nga sfidat ndoshta më të vështira që ka parë njerëzimi”, tha Veliaj.

Ai tha se tani që Bashkia e Tiranës mori vendimin për abonetë falas për studentët dhe subvencionimin 50% të kostos së konvikteve, studentët do e kenë shumë më të lehtë rrugën e tyre drejt dijes. Pavarësisht pasojave ekonomike, që po ndihen edhe në vendin tonë, si pasojë e luftës në Ukrainë, Bashkia e Tiranës po bën maksimumin për lehtësimin e kryeqytetasve dhe sidomos pjestarëve më të rinj, që janë studentët.

“Dje morëm vendimin për të subvencionuar gjysmën e kostos së konvikteve, për gjithë studentët që vijnë nga rrethet, dhe për abone falas për ta. Këto janë mënyrat se si ndihmon bashkia. Agjencia e Rinisë ka 1600 shërbime që i ofron me ulje, kudo kursehet pak. Sot na vjen në ndihmë edhe Union Bank, me një risi që, për gjeneratën time dukej si rikthim tek e kaluara, pra një gjë që nuk ndodhte dhe as nuk mund të mendohej, kur ne mjaftoheshim me kartën studentore plastike sa për të treguar fytyrën dhe sa për të marrë ndonjë shërbim tek-tuk. Sot, fakti që mund të kemi një shërbim master card, i cili i përfshin edhe aksesin në shërbimet bankare, edhe aksesin në shërbimet e Agjencisë së Rinisë, kjo është fantastike, sepse unë e di që kjo ka një kosto për bankën”, u shpreh ai.

SHKARKO APP