Ministrja britanike i quan shqiptarët ”pushtues”, Dua Lipa: Ta luftojmë ksenofobinë
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ylli i popit botëror, shqiptarja Dua Lipa po mbajnë një konferencë me gazetarët, disa orë para koncertit të madh, falas që Dua do të mbajë në sheshin ”Skëndërbej” për 110 vjetorin e Pavarësisë. Dua Lipa ka komentuar edhe komentet e bëra nga mediat britanike dhe nga ministrja e Brendshme Britanike, që i quajti shqiptarët “pushtues”. Dua Lipa është rritur në Britaninë e Madhe.
“Një fatkeqësi e madhe si shihemi ne në sytë e politikanëve të tjerë, janë fjalë të pakëndueshme, mendoj që kemi nevojë me luftu ksenofobinë në botë, është e nevojshme, ne duhet ta ndryshojmë stigmën që kanë njerëzit ndaj shqiptarëve, kjo është ajo që mund të bëjmë. Kemi nevojë të pranohemi si rezidentë të çdo vendi ku jetojmë”, tha Dua.
Ajo tha se do të shfrytëzojë këtë mundësi, për t’i treguar botës se cilët janë shqiptarët e vërtetë. “Mendoj që kemi nevojë të luftojmë ksenofobinë kudo në botë, jo vetëm për ne, por për të gjithë nëpër botë. Është e vetmja gjë që mund të bëjmë, të ndryshojmë stigmën ndaj shqiptarëve. Mendoj që ka shumë njerëz që provojnë të na tregojnë që ne nuk jemi kush jemi dhe e kam një ndjesi që kisha nevojë të shpreh që ne kemi të drejtën të krenohemi”, tha Dua Lipa.
Po ashtu këngëtarja tregoi me krenari pasaportën shqiptarë të marrë një ditë më parë nga Presidenti Begaj bashkë me nënshtetësinë. “Është shumë e rëndësishme për mua dhe nder që jam në gjendje të përfaqësoj vendin tim, gjithashtu më vjen mirë që e përfaqësoj në një mënyrë të mirë, pasi duhet të luftojmë stigmat mbi atë që njerëzit mendojnë për shqiptarët. Por, ndihem shumë me fat që jam nga një vend si ky, ne jemi shumë krenarë për prejardhjen tonë”.