Shuhet At Arthur Lioli, Presidenti Begaj: Figurë e shquar e Kishës Orthodhokse
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin, kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Boston.
“At Liolinin, këtë figurë të shquar të Kishës Ortodokse dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, do ta kujtojmë përherë si pasardhës të denjë të Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe”, thekson Kreu i Shtetit.
Arthur Liolin lindi më 1943 në Nju-Jork nga prindër me prejardhje nga Boboshtica e Korçës. Ai ishte kancelar i Kryepeshkopatës Orthodhokse Shqiptare me qendër në Boston dhe vlerësohej si një pasardhës i denjë i Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe.
Postimi i plotë
Me keqardhje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin, Kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Boston.
At Liolinin, këtë figurë të shquar të Kishës Ortodokse dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, do ta kujtojmë përherë si pasardhës të denjë të Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe.
Në vitin 1991, At Liolini realizoi ëndrrën e tij, duke meshuar në 22 qytete të Shqipërisë. Ai nuk ishte thjesht një udhërrëfyes shpirtëror, por mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, mbështetje të cilën e shprehu edhe nëpërmjet botimeve ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike mbi çështjen shqiptare. Shpirti i tij u prehtë në paqe!