Shuhet mjeku prof.Isuf Kalo, Meta: Kontributet për dekada në fushën e shëndetësisë kanë shënuar gjurmë
Shuhet në moshën 80-vjeçare mjeku i njohur Isuf Kalo. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i ka marrë jetën këtë të enjte. Kalo ka qenë mjeku personal i ish-diktatorit Enver Hoxha. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa i ka shprehur familjes ngushëllime për këtë humbje, thekson se kontributet e Isuf Kalos për dekada të tëra në fushën e shëndetësisë kanë shënuar gjurmë. ”Do të mbeten të pashlyera në historinë e Shkencës Mjekësore shqiptare, qoftë si Profesor, por edhe në kërkimin dhe publicistikën mjekësore”.
Postimi i plotë
Në këtë moment të ndarjes nga jeta të Profesor Isuf Kalo i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të dashur për këtë humbje të pazëvendësueshme. Kam pasur kënaqësinë e veçantë ta njoh nga afër Profesor Isuf Kalon, që përfaqësonte si rrallëkush vlera të mëdha si humanizmi, thellësinë e kumtimit shkencor, kulturën e gjerë erudite dhe novatorizmin e ideve mjekësore dhe sociale.
Kontributet e Isuf Kalos për dekada të tëra në fushën e shëndetësisë kanë shënuar gjurmë, që do të mbeten të pashlyera në historinë e Shkencës Mjekësore shqiptare, qoftë si Profesor, por edhe në kërkimin dhe publicistikën mjekësore.
Profesor Isuf Kalo ishte një shembull i misionarit dhe intelektualit, që pa u ndalur kumtoi gjatë gjithë jetës shkencën dhe përvojën personale aq të pasur e të larmishme brenda dhe jashtë vendit. U prehtë në paqe dhe i paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij!