Shuhet Papa Benedikti, politikanët në Shqipëri: Një humbje e madje për komunitetin katolik
Papa Benedikti XVI u shua në rezidencën e tij në Vatikan në këtë ditë të fundit të vitit, në moshën 95-vjeçare, një dekadë pasi dha dorëheqjen nga pushteti për shkak të shëndetit të tij të dobët. Ai drejtoi Kishën Katolike për më pak se 8 vjet. Në vitin 2013, ai u bë Papa i parë që dha dorëheqjen pas 6 shekujsh që nga Gregori XII në vitin 1415.
Politikanët në vend kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këtë humbje. Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj shkruan se kjo është një humbje e madje për komunitetin katolik.
“Humbje e madhe për komunitetin katolik vdekja e Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI! Protagonist i jetës së kishës dhe i kulturës europiane, teolog, profesor, arqipeshkv i Mynihut, Prefekt i doktrinës së besimit. Në këtë moment të trishtuar, bashkohem në lutjet e të gjithë komunitetit katolik”, shkruan Alibeaj.
Kurse ish-kryedemokrati Lulzim Basha shkruan se Papa u përball me dinjitet dhe humanizëm me sfidat dhe vështirësitë e kohës.
“Lamtumirë Papa Benediktit të XVI që me fuqinë e mendimit, thjeshtësinë dhe përulësinë e tij mishëroi virtytin në shërbim të përkorë ndaj Zotit dhe njerëzve dhe u përball me dinjitet, humanizëm dhe kulturë të thellë me sfidat dhe vështirësitë e kohës. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.
Papa Benedikti XVI u shua në moshën 95-vjeçare ndërkohë që Vatikani ka bërë të ditur se funerali do mbahet më 5 janar të enjten dhe do drejtohet nga Papa Françesku. Funerali i një Pape në pension është diçka e re për Kishën Katolike moderne.