Si do të funksionojë Vettingu? Vështirësia në gjetjen e provave
Pastrimi i sistemit të drejtësisë, juristët flasin për “Koha Jonë” për efektet e ligjit të Vettingut
Nga: Redjon Shtylla
Vetingu, procesi që do të verifikojë gjyqtarët dhe prokurorët, shihet me pikëpyetje nga ekspertët e ligjeve. Juristët deklarojnë se gjyqtarët dhe prokurorët ndihen të kërcënuar nga vetingu, ndërsa paralajmërojnë se dorëheqjet do të jenë të pakta, pasi i kanë fshehur mirë pasuritë e tyre të fituara nëpërmjet rrugëve korruptive. Në një prononcim për “Koha Jonë”, juristët, Sokol Hazizaj, Idajet Beqiri dhe Jordan Daci flasin për efektet e para që do të sjellë ky ligj.
Hazizaj: Politika tjetërson qëllimin
Juristi Sokol Hazizaj, i cili presionon mbi kontrollin ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve, nuk e vendos si pjesë thelbësore për dhënien e drejtësisë. “Gjerësia e dhënies së drejtësisë së pari te instrumentet ligjore ose legjislacioni dhe qartësia apo transparenca e përmbajtjes së ligjit. Është i papranueshëm koncepti i ndryshimit të përbërjes së institucioneve apo ndryshimi i tyre për nga mënyra e zgjedhjes apo organizimit, nëse nuk shoqërohet me paketë ligjore ndryshimesh materiale dhe procedurale, të cilat do të plotësojnë kushtin e kohës dhe realitetit në të cilin jetojmë ose kërkojmë të shkojmë”,- pohon Hazizaj. Edhe për temën e diskutuar për dorëheqjet e të inkriminuarve të sistemit të Drejtësisë, Hazizaj pohon se nuk përbën shqetësim për vendin. “Sa i përket ndjenjës të kërcënuar ose të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shpjegoj se ky është proces normal i të ndierit i shqetësuar për shkak dhe të risisë ligjore. Por nga ana tjetër duhet theksuar se ky duhet të jetë shqetësimi më i vogël për qytetarin dhe neve në tërësi, sepse ndonëse shoqëria jonë vuan nga një mentalitet vetëpersekutues, nuk kanë qenë të rralla hetimet dhe gjykimet të njëanshme dhe pa standarde. Dyshoj se mungesa e proporcionalitetit midis vëmendjes së madhe mbi pasurinë me mungesën e vëmendjes në anën profesionale nuk do të jap rezultatin e duhur të vetingut”.

Duke komentuar diskutimet e shumta ndaj Reformës në Drejtësi, Hazizaj nuk e sheh pozitive pasi që politika po e tjetërson qëllimin. Ai shprehet se, mënyra e trajtimit të Drejtësisë është si Lazarati, se sa si proces vetëpastrimi. “Parë në vështrimin e sipërcituar, konstatoj nxitim dhe presion apo shpesh herë dhe për shkak të prononcimeve që bëhen nga politika, procesi më shumë ngjan me trajtimin e drejtësisë si Lazarati se sa një proces vetëpastrimi tërësor me kah pozitiv. Trajtimi në këtë mënyrë, reforma në drejtësi, të jep përshtypjen se nuk ndodh sepse sot më shumë se kurrë ka nevojë për të drejtën dhe dhënien e saj, por sikur ka nevojë më shumë punëtorë të fushës se vet fusha”.
Daci: Suksesi varet nga ata që do afrohen dhe ato që do largohen
Juristi Jordan Daci lë të nënkuptuar faktin se situata para reformës ende karakterizohet nga ekzistenca e korrupsionit në një masë të gjerë, fakt ky i pranuar edhe nga aktorë të sistemit të drejtësisë. Më tej ai shton se, kjo situatë vjen edhe nga mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë. “Në të njëjtën kohë duhet theksuar që kriminalizimi i drejtësisë nuk mund të shkëputet nga një kriminalizim alarmant i gjithë shoqërisë tonë. Sigurisht që, gjyqësori nuk kishte si të mos inkriminohej si çdo sektor tjetër dhe kjo do të thotë që ka pasur, ka dhe do të ketë elementë të kriminalizuar, të cilët do i tremben këtij vetingu dhe atyre në vijim”, u shpreh Daci.

Juristi pohon se do ketë padyshim efekt pozitiv, por arritja e standardeve ndërkombëtare kërkon kohë. “Sistemet janë zgjedhje dhe pavarësisht dallimeve, dështimi i tyre nuk i faturohet strukturës apo logjikës së funksionimit të tyre më shumë sesa vetë faktorit njëri nga i cili përbëhen. Pra, suksesi i kësaj reformë varet pikë së pari nga njerëzit që do afrohen dhe ato që do largohen”. Shqetësim sipas juristit është dhe kufizimi i prurjeve vetëm me Shkollën e Magjistraturës. “Një kufizim i palogjikshëm dhe tejet monist që nuk i shërben rritjes së cilësisë dhe përgjegjshmërisë në gjyqësor. Megjithatë, mendoj që efekti reformë do të prodhojë më shumë drejtësi për qytetarët dhe më pak korrupsion dhe të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë në realizimin me sukses të saj, pavarësisht rezervave profesionale që mund të kemi”.
Beqiri: Nuk mund të ligjërohet krimi
Juristi Idajet Beqiri në një prononcim për “Koha Jonë”, lë të kuptohet se gjyqtarë dhe prokurorë që do të dorëhiqen vullnetarisht dhe nuk do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, si pjesë e fshehtë e PD-së. Ai pohon se: “Ka pasur një përpjekje të madhe të opozitës për të ndodhur pikërisht kështu. Këto përpjekje, e madje presione edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, i ka lëkundur disi këta të fundit, me arsyetimin se për hir të bërjes së reformës së thellë në drejtësi, të korruptuarit “vafshin në djall”, mjafton që të shpëtojnë shqiptarët prej tyre! Nuk mund të ligjërohet krimi dhe kriminelët”.

Duke ju rikthyer përsëri çështjes së formularit që në bazë të ligjit të Vetingut duhet të plotësojnë trupat gjyqësore, juristi shton se nga përmbajtja e kërkesave që janë fiksuar aty, nuk e kalojnë dot klasën. “Flitet për rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë të tillë, të cilët nuk duan t’i nënshtrohen vetingut, por duan të dorëzojnë vullnetarisht detyrën”,-shprehet Idajet Beqiri. Në analizën e tij, në rrjetën e antikorrupsionit do të jenë edhe “peshqit e mëdhenj”, do të hetohet nga Prokuroria Speciale. “Sapo të filloi funksionimi i Prokurorisë Speciale, sapo të nis procesi i vetingut dhe “sita” të nxjerrë gjyqtarë dhe prokurorë të aftë, me integritet të lartë moral dhe profesional, të varur nga ligji dhe vetëm nga ligji”.
“Peshqit e mëdhenj”
Në analizën e tij, në rrjetën e antikorrupsionit do të jenë edhe “peshqit e mëdhenj”, do të vetohet nga Prokuroria Speciale. “Sapo të filloi funksionimi i Prokurorisë Speciale, sapo të nis procesi i vettingut dhe sita të nxjerrë gjyqtarë dhe prokurorë të aftë, me integritet të lartë moral dhe profesional, të varur nga ligji dhe vetëm nga ligji”.
PASTRIMI I DREJTËSISË
Do jetë vështirë të gjenden provat
Duke folur për dorëheqjen që po dëshmohen nga ana e gjyqtarëve, Daci parashtron 5 pika bazë, të asaj që ai e cilëson si një proces që po shkon në dështim, siç ndodhi me ligjin e dekriminalizimit.
“Dorëheqja nënkupton në një farë mënyre pranim fajësie për ata që e japin duke dashur të shpëtojnë pasurinë dhe në mënyrë të natyrshme do hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Shumë mendojnë se ky proces do dështoj si shumë procese të tjera si p.sh. Dekriminalizimi ose së paku do ketë shumë më pak sukses sesa pritet. Procesi i hetimit do ketë shumë vështirësi për të siguruar prova në një periudhe prej 25 vitesh, pasi edhe pasuria është tjetërsuar, maskuar apo legjitimuar me transaksione financiare dhe ligjore, të cilat sot nuk mund të zhbëhen dhe as të vihen në dyshim për shkak edhe të parimeve dhe afateve ligjore. Do kemi ankesa gjyqësore dhe pothuajse gjyqësore që do të ulin efektin e pritshëm. Shumë persona do të shpresojnë që nisur nga praktika e reformave në Shqipëri, ky proces nuk do arrijë të vërtetojë paligjshmërinë e pasurisë së tyre dhe kësisoj ato do vazhdojnë të mbeten pjesë e gjyqësorit”. Shqiptarët presin që vetingu të ketë efekte dhe të largojë ata prokurorë, gjyqtarë dhe pjesë e sistemit të drejtësisë që janë të inkriminuar. Në këtë pikë, përtej pesimizmit, Daci shton se: “Besoj do ketë efekt parandalues për pjesën në vijim dhe do të jetë një presion pozitiv në favor të drejtësisë. Si në çdo rast sigurisht që, do ketë tentativë për manipulime në formular, por unë do thoja jo në formular sesa në kryerjen e transaksioneve financiare dhe ligjore për të fshehur gjurmët apo vetë pasurinë. Megjithatë, mundësia e këtyre manovrave në këto moment është shumë më e vogël sesa ajo që ka ekzistuar para këtij momenti”.
KOHA JONË SONDAZH

