Si do të votojë diaspora? Balla: Kemi modelin gjerman, vota me postë dhe një pagesë e bën votuesi

Për herë të parë, diaspora do të japë votën për qeverinë e re që do të krijohet nga zgjedhjet parlamentare të 2025. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i cili është edhe drejtuesi politik për Diasporën, thotë se garantimi i votës për bashkëkombësit që jetojnë jashtë Shqipërisë shënon ndreqjen e një gabimi historik dhe shlyerjen e një borxhi që shteti amë ua kishte emigrantëve.

”Më në fund u ndreq një gabim historik, sakaq edhe një borxh që Shqipëria dhe institucionet e saj vendimmarrëse u kanë qytetarëve që jetojnë jashtë territorit. Pra të gjithë atyre qytetarëve që gëzojnë njëlloj të drejtën e votës sikurse bashkatdhetarët që jetojnë në Shqipëri për tu shprehur edhe ata përmes votës, se kush është forca politike që duan ti qeverisë. Shqipëria bën pjesë në një grup vendesh që kanë një diasporë të madhe’‘, tha Balla në A2 CNN.

Sipas tij, procesi i votimit përmes postës është një model i aplikuar nga të gjitha vendet e zhvilluara në Perëndim. Ai sqaroi më tej të gjitha procedurat që do të ndiqen në mënyrë që vota e emigrantëve shqiptarë të numërohet nga KQZ pa u cenuar siguria e saj.

”Më në fund shqiptarët në çdo cep të globit nëse kanë një dokument të vlefshëm biometrik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, do të mund të regjistrohen përmes një portali duke plotësuar ato kërkesë minimale që do të ketë vendimi i Entit Rregullator të KQZ, përmes postës, në atë adresë që ke regjistruar do të vijë një zarf me fletën e votimit brenda.

Do ta kthesh përmes postës, shteti shqiptar paguan postën deri në banesë, ndërsa qytetarët kanë detyrimit të paguajnë për ta kthyer në Shqipëri dhe në ditën e zgjedhjeve votat do të numërohen sipas çdo qarku. Durrsaku që jeton jashtë vota e tyre do numërohet në Durrës.

Ky është një model që nuk e kemi shpikur ne. Disa vende aplikojnë modelin e votës së diasporës në konsullata dhe ambasada, por ne nuk e kemi këtë mundësi. Për nga mënyra e përllogaritjes së mandateve kemi zgjedhur modelin gjerman. Është një zarf i mbyllur, të vetmit që mund ta shohin, janë votuesi dhe numëruesi në KQZ. Procesi është sipas standardeve më të mira të të gjitha vendeve dhe shumë i certifikuar në aspektin e sigurisë së votës”.

SHKARKO APP