Si e futen në kurth Ervis Martinajn
Prej pak ditësh, dy teori të reja po qarkullojnë për fatin e Ervis Martinajt. Të dyja parashikojnë fundin tragjik të Martinajt. A është futur në kurth “Mbretit i lojërave të fatit”?
Teoria e parë: Kapja si “peshk”
“Inside Story” zbuloi mbrëmë në Top Channel disa mesazhe të shkëmbyera mes njerëzve që kishin dijeni për fatin e Ervis Martinajt.
“Mos ti kishte thënë për V. Do ishte gjallë akoma. Hajde i kishin thënë e kam gati. Ky peshku kishte vajt. Dhe e kishin marrë peng. E kan hedh në det. Ca peshku. Atë e kanë humb atë natë”.
“Ka festuar se i kanë nis fotot”.
Mbi këto mesazhe presupozohet se Ervis Martinaj kishte kontraktuar një grup të fortësh në Shijak për kapjen e personit përgjegjës për vrasjen e kushëririt të tij të parë, Brilantit. Ky i fundit mbeti i vrarë më 17 korrik të këtij viti në mbikalimin e Fushë Krujës, teksa po udhëtonte me dy miq të tij. 91 plumba u zbrasën mbi makinën ku udhëtonte Brilant Martinaj. Gëzhojat konfirmuan se plumbat ishin qëlluar nga një qitës, i shumëpërfolur si profesionist.
Ervis Martinaj ishte betuar për hakmarrje. Sipas kësaj piste, grupi që ai kontraktoi raportohet se i ka treguar me pamje personin përgjegjës për vrasjen e Brilantit, të lidhur me litarë. Prezumohet se Martinaj i ka kërkuar atyre të presin që të vijë dhe ta vrasë vetë personin me dorën e tij. Dhe pikërisht ky ka qenë karremi. Martinaj është prerë në besë dhe është ekzekutuar sapo ka arritur tek baza në Shijak. Kapja e vrasësit ose porositësit të vrasjes së Brilantit nuk u krye me qëllim plotësimin e kërkesës së Visit. Por, për eliminimin e tij.
Kjo teori nuk është konfirmuar ende dhe autenticiteti i mesazheve mbetet për t’u verifikuar. Por megjithatë, mbetet një teori e shumëpërfolur.
Teoria e dytë: Femra e mistershme
Si një njeri që nuk i mungon informacioni, Sali Berisha vetëm javët e fundit ka thyer heshtjen e tij të gjatë për Ervis Martinajn. Ndërsa fillimisht ka denoncuar se kupola e Policisë së Shtetit ishte e lidhur me Martinajn, dhe se Edi Rama me Baton Haxhiun e dinë se ku ndodhet Visi, Berisha dje ka bërë një denoncim më konkret për zhdukjen.
Berisha publikoi një mesazh të ardhur në adresë të tij në Facebook. Sipas denoncuesit, fatin e Martinajt e di një femër që punon në Bashkinë e Tiranës. Personi anonim shpjegon se kjo femër e ka shoqëruar Visin nga banesa e saj në Shijak, dhe se policia e ka marrë dëshminë e saj.
Denoncimi
“Per fatin e Ervis Martinajt di gjithçka nje femer e partise se krimit! Policia dhe prokuroria e partise fshehin rolin e femres se partise.Qytetari dixhital ka pyetje direkte per Edi Ramen dhe rolin e tij ne zhdukjen e Ervis Martinit. sb
“Pershendetje Zoti Berisha! Jam kurioz me dit pse policia e rames nuk e nxjerr qe dy ditet e fundit para se me u zhduk Ervis martinaj ka qen i strehuar te nje femer socialiste qe punon te bashkia Lali Erit e cila quhet… Policia e di shum mir dhe ka mar deshmin e ksaj femre. Por pse nuk e nxjerrin sepse deri ne momentin qe ka taku shijaksit ka qen me kte femer me vete. E ka derguar kjo nga shpia e vet ne Shijak.
Prokuroria ka edhe videot ku shihet Ervis Martinaj duke hyr ne pallatin ku jetonte kjo femer dhe kan edhe videot qe del nga apartamenti diten e zhdukjes me kte femer dhe hipen ne makinen e ksaj. Pse se nxjerr policia dhe edi ket fakt dhe videot kur del nga shoia ksaj dy ditet e fundit. Apo Edvini do te mbroj gocat e partis vet dhe mos te zbulojet qe e ka eliminu vet ai Ervisin” , shkruan Berisha.
Por kush është ky person? Kjo “femër socialiste” që ditka shumë për fatin bosit të lojërave të fatit? Identiteti i saj mbetet mister. Dhe nëse ka diçka që kemi mësuar nga denoncimet e “qytetarit dixhital” të Berishës në vite është se, shumë prej denoncimeve të tij të pafiltruara ngjajnë si teori konspirative në fillim, por me kalimin e kohës rezultojnë të vërteta.
Që prej 10 gushtit të këtij viti, kur zhdukja e Ervis Martinaj mbërtheu opinionin publik me mëdyshjen nëse një njeri kaq profilik i botës së krimit është vrarë, apo ka inskenuar vrasjen e tij, peshorja së fundmi anon më shumë nga eliminimi fizik i tij.
Shumë prej njohësve më të mirë të kronikës së zezë nuk patën asnjë dyshim se peshorja anonte më shumë nga fundi tragjik i Ervis Martinajt, sapo panë reagimet në rritje të Sali Berishës. Edhe pse njihej publikisht si demokrat i zjarrtë, nën zë Martinaj njihej edhe si një i afërm farefisnor i familjes Berisha. Kjo është arsyeja pse rritja e denoncimeve të Sali Berishës për fatin e Visit ka bërë shumëkënd të besoje se “doktorri ka informacion”. Ervisi ndoshta nuk është më, armiqtë e kanë kapur vërtet…/lapsi/