Si e mori emrin e vëllait të Mark Frrokut rruga e shtëpisë së tij

 

Mark Frroku po e shlyen masën e dënimit me arrest shtëpie në një prej banesave të tij në rrugën që mban emrin e vëllait të tij, Leonard Frroku, në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Vëllai i tij ka ndërruar jetë në një aksident rrugor të ndodhur më 20 gusht të vitit 2006. Ai përmendet në relacionin që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar kuvendit për arrstimin e Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars të vitit 1999 në Bruksel.

“Marku me vëllezërit e tij, Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtatases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i ka telefonuar tutorit të saj, Nardi (frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejnë kurth viktimës në “Garde du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar nuk është L., e cila e prêt viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.”

Pavarësisht kësaj, Leonard Frroku ka tashmë një rrugë që mban emrin e tij. Por për çfarë arsyeje është dashur t’i vihet një rruge në Tiranë ky emër? Nga kush u propozua? Media laqpsi ka siguruar dosjen e plotë të kësaj çështjeje. Ndryshimi i emrit të rrugës “Nexho Konomi” në “Leonard Frroku” u propozua nga Këshilli i Njësisë Bashkiake Nr. 9, njësi që drejtohet nga socialisti Krenar Cenollari. (në foto me kryetarin e PS të Tiranës, Saimir Tahiri). Në relacionin që ky këshilli i drejton Këshillit Bashkiak të Tiranës më datën 27 prill të vitit 2012 thuhet se Leonard Frroku i datëlindjes 1974 “ka kontribuar në rritjen e mirëqënies së komunitetit ku ka jetuar” ( rruga që sot mban emrin e tij ) dhe se një prej veprave të tij si biznesmen “është rruga tek Unaza e Re, në Tiranë, e cila u financua prej tij”.

Propozimi ka ardhur vetëm pak muaj pasi Njësia Bashkiake Nr.9, në zonën e Kombinatit dhe Këshilli i saj u fituan nga socialistët. Kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri ishte i dërguari i Partisë Socialiste për këtë zonë, të cilën ai e mbajti në patronazh edhe në zgjedhjet e vitit 2013.

Këshilli Bashkiak i Tiranës do ta shtynte disa herë miratimin. Njësia Nr.9 insiston me disa shkresa. Madje edhe në vitin 2014 ajo e përsërit kërkesën, pavarësisht se në parlament dhe në media po flitej se Mark Frroku kishte kryer një vrasje në Belgjikë dhe se vëllai tjetër, Arben Frroku ishte arrestuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, në shkurt të vitit 2013.

A kishte ndikuar Mark Frroku në insistimin e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.9? Këshilli Bashkiak e miratoi kërkesën më 25 prill të vitit 2014. Mark Frroku kishte thuajse  1 vit që e kishte marrë mandatin e deputetit dhe ishte anëtar i grupit të Partisë Socialiste, pavarësisht se kishte kandiduar si kryetar i Partisë Kristian Demokrate.

 

 

SHKARKO APP