Si të vishen, dhuratat dhe aktivitetet. Kodi i Etikës për deputetët…
Mazhoranca kërkon miratimin e Kodit të Etikës për deputetët, i cili prej tre vitesh nuk miratohet nga Këshilli i rregullores, i mandateve dhe imuniteteve. Është Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi e cila ka sqaruar sot për publikun dhe mediat se çfarë përcakton Kodi i Etikës për deputetët.
Bëhet fjalë për një kod rregullash për deputetët, ku saktësohet aktivitetet ku u lejohet të marrin pjesë, dhuratat që mund të pranojnë ose jo. Madje edhe mënyrën se si duhet të vishen dhe fjalorin që mund të përdorin.
“Kodi i sjelljes rregullon mënyrën se si duhet të sillen deputetët, që të mos marrin vendime në konflikt interesi. Kodi vendos kufizime për aktivitete që duhet të bëjë deputeti. Lista e aktiviteteve të ndaluara janë të përcaktuara. Dhënia dhe marrja e dhuratave. Kodi i sjelljes përcakton se çfarë duhet të marrë një deputet dhe çfarë jo. Pasi deputetët marrin dhurata nga kudo ku shkojnë. Kodi i sjelljes rregullon edhe një asket shumë të rëndësishëm. Kërkohet që etika e veshjes dhe diskutimit të jetë konfort standardeve. Duhet të transformohet një mënyrë e re e të bërit politikë. Të gjitha këto janë çështje që kanë të bëjnë me interes për publikun. Kodi i sjelljes është i detyrueshëm dhe ka qenë i detyrueshëm që të parashikohet. Ajo që unë kërkoj në emër të maxhorancës, është që të gjithë bashkë dhe me opozitën, të bashkohemi që të miratojmë një kod sjellje duke përmbushur standardet” tha Hysi
Deputetja socialiste tregoi ndër të tjera edhe se çfarë u vendos në mbledhjen e kësaj të premte.
“Këshilli diskutoi sot dhe arriti në përfundimin se nuk ishim të gatshëm ta miratonim sot sepse kolegët e opozitës kërkuan të rishikohej dhe shtruan pyetjen pse na duhet një kod sjellje. Kryetari i Kuvendit i dha mundësi opozitës dhe ne kemi vendosur: Së pari: Ftohen grupet parlamentare të gjithë deputetët të shprehim mendime për ta përmirësuar brenda dy javësh. Së dyti: U ngrit një grup pune me tre deputetë, të tre grupeve parlamentare, për të mbledhur mendime dhe për ti parashtruar. Së treti: Kjo do diskutohet sërish në Komisionin e Mandateve. Të gjithë bashkë, mazhorancë dhe opozitë duhet të jemi bashkë te kodi i sjelljes, për të ofruar atë që qytetarët presin”, tha Hysi.
KOHA JONË SONDAZH

