Siguria kibernetike, ministri Balla bashkë me ambasadorin britanik vizitë në Departamentin për Teknologjinë dhe Informacionin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla së bashku me ambasadorin britanik Alastair King-Smith vizituan mjediset e reja të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin të Policisë së Shtetit, ku ruhet baza e të dhënave, e cila është financuar nga Mbretëria e Britanisë së Madhe, nëpërmjet projektit të forcimit te sigurisë kibernetike për Policinë e Shtetit.

Balla tha se siguria kibernetike dhe bashkëpunimi me partnerët është me rëndësi për të mundësuar qëndrueshmërinë e sistemeve tona ndaj sulmeve kibernetike.

“Jemi shumë mirënjohës Qeverisë Britanike për këtë mbështetje të rëndësishme që erdhi menjëherë pas sulmit kibernetik, shënjestër e së cilit ishte edhe Policia e Shtetit dhe sistemet e saj elektronike. Gjej rastin të falënderoj edhe ekspertët, të cilët kanë punuar ngushtësisht me stafet e Policisë së Shtetit, jo vetëm për të rikthyer të gjitha shërbimet, por edhe për të ngritur mbrojtjen kibernetike brenda Policisë së Shtetit në një nivel tjetër, sipas standardeve më të mira europiane”, deklaroi Balla.

Ekspertët e IT-së shpjeguan se ambientet e Datacenter-it garantojnë siguri të lartë. Çdokush që hyn apo del regjistrohet, jo vetëm me kohën por shoqëruar edhe me foto të personit. Ministri e cilësoi bashkëpunim me qeverinë britanike të shkëlqyer, duke veçuar atë për luftën kundër migracionit ilegal, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që është ofruar.

Ambasador Britanik në Shqipëri Alastair King-Smith tha se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ndihmon për rritjen e sigurisë në dy vendet. “Për ne mbrojtja kibernetike është një gjë thelbësore, ndaj jemi shumë të lumtur të vazhdojmë këtë bashkëpunim të fortë”, nënvizoi ai.

SHKARKO APP