Siguria në Shkolla, ministri Balla nga Dibra: Të rinjtë të denoncojnë çdo fenomen që i shqetëson
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte në gjimnazin “Said Najdeni” në Dibër, ku i ftoi nxënësit t’u drejtohen oficerëve të sigurisë, drejtuesve në shkolla apo Policisë. Ai e cilësoi bullizimin si një prej fenomeneve, të dëmshme për shoqërinë.
“Dhuna me bazë gjinore, por edhe dhuna në rrjetet sociale, është një prej problematikave që ne mundohemi të adresojmë dhe do t’ju kërkoja që të mos hezitoni asnjëherë, për çdo lloj problematikë tê kontaktoni me drejtuesit e shkollës, me oficerin e sigurisë në shkollë, por të kontaktoni dhe me punonjësit e Policisë drejtpërsëdrejti, sepse detyra jonë është që ne të ndërhyjmë në kohën e duhur, nê mënyrë që të garantojmë siguri dhe mbarëvajtje të procesit mësimor, në të gjitha shkollat, jo vetëm këtu në Dibër, por në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ministri.
Ai falënderoi drejtuesin e Bashkisë për bashkëpunim, që e cilësoi të shkëlqyer, sa i përket infrastrukturës së sigurisë në shkolla. “Paketa e sigurisë në shkolla, synon të shkojë përtej oborrit të shkollës, në gjithë komunitetin, i cili dalëngadalë po kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik”, nënvizoi Balla.