Silva Caka: Rama i heq çdo shans Shqipërisë për t’u afruar me Europën
Lajmi i fundit për Integrimin është se BE-ja përjashton Shqipërinë nga negociatat për anëtarësimin. ”E nisim me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria vetëm nëse plotëson kushtet”. Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka përmes një postimi në facebook, thotë se ky është një tjetër dështim i qeverisë ”Rama 2”. Sipas saj, Rama me prishjen e dakordësisë së arritur më 5 qershor si dhe me ndryshimet e njëanshme dhe pa konsensus në Kushtetutën e Shqipërisë, i hoqi çdo shans Shqipërisë për t’u afruar me Europën.
Postimi i plotë
Dështimi i paralajmëruar i Rilindjes! Qeverisja e Edi Ramës vazhdon të dëmtojë çdo ditë interesat e Shqipërisë, duke kaluar tashmë perceptimin e brendshëm. Qytetarët shqiptarë e ndjejnë keqqeverisjen çdo ditë në familjet e tyre dhe pritej që kjo keqqeverisje të jepte efektet e saj edhe në raportet e Shqipërisë me organizmat ndërkombëtarë.
Arsyet e largimit të shqiptarëve tashmë nuk janë vetëm ekonomike; ato lidhen ngushtësisht me mungesën e demokracisë, institucioneve shtetformuese, meritokracisë dhe prezencës këmbëngulëse të korrupsionit, në çdo nivel drejtues.
Zyrtarisht, në konferencën e parë ndërqeveritare, Shqipëria do të veçohet nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe do të merret në konsideratë çelja e negociatave, VETËM nëse plotësohen 15 KUSHTET!
Edi Rama, me prishjen e dakordësisë së arritur më 5 qershor, lidhur me miratimin e Reformës Zgjedhore, si dhe me ndryshimet e njëanshme dhe pa konsensus në Kushtetutën e Shqipërisë, i hoqi çdo shans Shqipërisë për t’u afruar me Europën. Shqipëria ngeli përsëri e fundit dhe kjo faturë duhet të paguhet veç nga Edi Rama; ai është i vetmi përgjegjës!