Sindikatat, thirrje për protesta në janar
Sindikalistët paralajmërojnë nisjen e protestave kundër rritjes së çmimit të energjisë për abonentët familjarë. Sipas kreut të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, Gëzim Kalaja, protesta do të zhvillohet në ditët e para të janarit dhe në të do të ftohen të gjithë qytetarët si dhe opozita, si më 22 nëntor.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare do të bashkëpunojë me opozitën shqiptare dhe në protestën që do të organizohet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve për të qenë në shesh.”- deklaroi Kalaja.
Kreu i BSPSH-së fajësoi qeverinë se po merr vendime që diskriminojnë familjet e varfra dhe të mesme, që zenë 72 përqind të familjeve shqiptare, dhe e gjithë kjo për të favorizuar të pasurit që konsumojnë mbi 500 kilovat energji në muaj.
Pak ditë më parë ERE miratoi çmimin e ri të energjisë elektrike për abonentët familjarë, duke hequr përfundimisht fashën mbrojtëse 300 kilovat me çmimin 7.7 lekë kilovatin dhe zëvendësuar atë me çmimin unifikues 9.5 lekë për kilovat, që hyn në fuqi pas një janarit.