Sipërmarrësi Ilir Rrapaj me pranga në duar deklaron: “Më 9 maj 2016 kirurgjia publike shqiptare ka hyrë në BE!”

Komisioni hetimor parlamentar për shërbimet publike të sterilizimit dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore dëgjoi sot si dëshmitar sipërmarrësin Ilir Rrapaj mbi çështjen e sterilizimeve spitalore, një koncencion 100 milionë euro për 10 vjet. Ai është një prej pronarëve të kompanive fituese të koncensionit të sterilizimit, i cili është dërguar për gjykim nga SPAK-u nën dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrime, krahas ish ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish zëvendës ministrit Klodian Rrjepaj. Por siç njofton nga Tirana korrespondenti ynë Ilirian Agolli, sipërmarrësi Rrapaj deklaroi se ishte krenar për sterilizimet e arritura në spitalet shqiptare sipas standarteve të BE-së.

Me lejen e SPAK-ut dhe me ndihmën e drejtorisë së burgjeve, dëshmoi sot për disa orë para komisionit hetimor parlamentar për sterilizimet dhe check up-in shoqëruar nga avokati i tij sipërmarrësi Ilir Rrapaj, njëri prej ortakëve të bashkimit të kompanive që fitoi në fund të vitit 2015 koncensionin e sterilizimit të e pajisjeve kirurgjikale në strukturat spitalore shtetërore 9 vite më parë për 100 milionë euro.

Teksa koncensioni i sterilizimeve spitalore po hyn në vitin e dhjetë dhe të fundit të tij, SPAK-u e ka nisur çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme 9 muaj më parë në dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrime nga protagonistët nën akuzë, ndërsa një komision i posaçëm i parlamentit vazhdon hetimin, duke dëgjuar dëshmitë e pjesëtarëve të kësaj çështjeje. Ndërsa 3 shtetasit e tjerë aksionerë në kompanitë fituese italianët Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli refuzuan të merrnin pjesë në mbledhjet e komisionit, sipas kryetares Vokshi.

“Pas takimit me kryeministrin Rama, si kontaktuat, si proceduat me ministrin? Çfarë hapash ndërmorët dhe cili ishte roli juaj në lidhje me takimet e mëtejshme? Këto takime nuk kanë qenë të pakta, por rezulton që kanë qenë të shumta deri në arritjen e asaj marrëveshjes”, iu drejtua zonja Vokshi sipërmarrësit Rrapaj.

Lidhur me këtë koncension 10 vjeçar ish ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet prej SPAK-ut për shpërdorim detyre nga marsi i këtij viti, ndërsa janë nën akuzë të arrestuar ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe për mashtrim sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë që kishte fituar koncensionin.

Rrjepaj dhe Rrapaj janë arrestuar me burg prej afro 15 muajsh, nga mesi i gushti i vitit të kaluar për shkeljet e dyshuara në procedurat e PPP-së së sterilizimit, ndërsa një grup zyrtarësh të komisionit, që vlerësoi ofertën për kontratën e sterilizimit janë nën masa më të lehta sigurie.

Zoti Rrapaj deklaroi sot se ishte krenar që u bë pjesë e një procesi kaq të rëndësishëm të sterilizimeve spitalore sipas standarteve të BE-së.

“Më 9 maj 2016 kirurgjia publike shqiptare ka hyrë në BE, falë standarteve që adoptoi, dhe këtë e them me një ndjenjë kënaqësie dhe krenarie të pashoq”, tha zoti Rrapaj.

Sipas hetimeve, bëhet fjalë për fryrje të shifrave në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ish ministri Beqaj dyshohet se i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar. Po ashtu zoti Beqaj dyshohet se nuk ka shmangur konfliktin e interesit që doli prej miqësisë së zëvendësit të tij Rrjepaj dhe sipërmarrësi Rrapaj.

Ashtu si zoti Rrapaj edhe zotërinjtë Beqaj dhe Rrjepaj i kanë hedhur poshtë akuzat. Ish ministri Beqaj ka deklaruar ngjashëm se reforma në shëndetësi dhe veçanërisht sterilizimi si procedurë komplekse, e kanë ngritur shërbimin spitalor në nivele të larta profesionale, ku janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe prej të cilës kanë përfituar mbi gjysmë milioni shtetas përmes operacioneve kirurgjikale.

Megjithatë SPAK-u sekuestroi në fillim të këtij viti disa pasuri të sipërmarrësit Ilir Rrapaj; paketa prej 40 përqind e aksioneve të shoqërisë “Sani Service” Shpk, si dhe shoqëria “Investital LLC”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë, përmes të cilës Rrapaj u bë pjesë e konsorciumit, që fitoi koncensionin e sterilizimit, si dhe pronat e kompanisë tjetër të tij “Globalsher”, një apartament, 13 automjete si dhe dy llogari bankare.

Afro një dekadë më parë, koncensioni i sterilizmit u pa me dyshim dhe u denoncua më tej për hapat pazakonta, që po ndërmerreshin, teksa Rrapaj, pa ndonjë përvojë në fushën e shërbimeve spitalore, u shfaq si aksioneri kryesor në konsorciumin e sterilizimit, pasi themeloi në Prishtinë kompaninë e tij “Investital LLC”, por prej vitesh drejtonte një kompani të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë. Kompanisë fituese iu dorëzua një qendër sterilizimi moderne, e cila nuk ishte vënë ende në punë, ndonës eu ndërtua nga qeveria me kredi shkruan VOA.

Pjesë e dyshimeve të organit të akuzës është edhe vlera e kontratës, e cila është e lidhur me një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit.

 

 

SHKARKO APP