Situata e COVID-19, Petrit Vasili: Përgjegjësia e qeverisë është shumë e rëndë, por të ruajmë besimin te spitalet
Nga Petrit Vasili
Përgjegjësia e qeverisë është shumë e rëndë, por gjithsesi ta ruajmë besimin te spitalet!
Eskalimi i situatës së COVID-19 në Shqipëri dhe shtimi kritik i rasteve të rënda dhe humbjes së jetëve është fakt i pakundërshtueshëm.
Faza finale e trajtimit të rasteve të rënda janë vetëm spitalet.
Dëshmi të shumta dhe tronditëse janë bërë publike lidhur me mungesat në këto spitale duke filluar nga ushqyerja, higjena, mungesa e etikës, mungesa ne barna etj.
Të gjitha këto fakte janë prova të pakundërshtueshme të një çorganizimi shtetëror të jashtëzakonshëm, të mungesës së fondeve dhe burimeve njerëzore më të domosdoshme dhe të një spontaniteti të rrezikshëm që natyrshëm bie mbi vetëm e vetëm pacientët.
Megjithatë spitalet mbeten absolutisht të pazëvendësueshme në luftën me COVID- 19.
Ndaj duhet gjithsesi të ruhet besimi tek ato pasi do të thotë jetë të fituara.
Stigmatizimi ekstrem i spitaleve për problemet, që ato paraqisin nuk duhet të kalojë masën pasi kjo hallkë e sistemit shëndetësor nuk mundet në këtë moment të vështirë të zëvendesohet me asgjë.
Duhet stigmatizuar fort po, qasja e turpshme e ministrisë së shëndetësisë, që reklamon dëshmi të sforcuara për gjoja funksionimin perfekt të çdo gjëje në spitalet COVID.
Duhet kritikuar rreptë propaganda dhe arroganca për mbuluar problemet dhe për të mos i zgjidhur ato.
Duhet kritikuar shpërdorimi i pacipë politik i QSU nga kryeministri si podium politik i kryeministrisë.
Por nuk duhet të lodhemi duke promovuar punën e vetmohimin e personelit mjekësor dhe besimin tek ta sepse kështu u japim besim pacientëve me COVID dhe familjarëvetë tyre se do ta fitojnë betejën me të.
Është fakt dramatik, që ky KM dhe kjo qeverisje ishin një faktor rëndues ekstrem me paaftësinë e tyre në përballimin e Pandemisë.
KM dhe qeveria kanë përgjegjësinë dhe duhet të ndryshojnë menjëherë situatën në spitalet COVID dhe të financojnë në mënyrë të jashtëzakonshme ato si dhe të ndryshojnë në themel organizimin e funksionimit të brendshëm të tyre për t’iu përgjigjur situatës.
-Familjarët duhet të informohen vazhdimisht dhe me etike maksimale për të afërmit e tyre,
-ushqimi i të semurëve duhet të jetë perfekt dhe çdo mungesë në këtë drejtim është turp,
-higjena duhet të jetë maksimale duke mos kursyer asgjë për të, personeli mjekësor duhet të shtohet dukshëm për të ruajtur kualitetin dhe freskinë e përditshme të tij, etika e komunikimit duhet te ndryshojë dhe organizohet rrenjësisht
-barnat dhe të gjithë plotësuesit e tjerë të protokolleve mjekësore duhet të jenë të bollshëm e me rezerva.
Realizimi i plotë i të gjithë këtyre nevojave emergjente është propaganda më e mirë, në vend të propagandës bajate alla komuniste, që shton mosbesimin dhe zemëraten e qytetarëve.