Situata e re po e ndryshon kancelaren?

Angela Merkel që prej sulmeve terroriste islamiste në Paris duket sikur ka ndryshuar. Fjalë të qarta, qëndrime pa ekuivoke, gjeste emocionale. Po zbulon bota një grua të re në krye të Gjermanisë?, pyet Dagmar Engel.

 

E guximshme, luftarake, emocionale, të gjitha cilësi, që nuk të bien në mend menjëherë për të karakterizuar "gruan më të fuqishme në botë" (sipas revistës Forbes). As në deklaratën qeveritare mbi sulmet terroriste në Paris Angela Merkel nuk e ngriti zërin, nuk shtrëngoi as grushtin dhe nuk u përlot. Po çfarë i shtyn komentatorët në Gjermani të bëjnë vlerësimin, se kancelarja është duke ndryshuar?

Argumenti 1: Kjo fotografi, një shkrepje e çastit gjatë marshimit në Paris: Kancelarja e ftohtë, që ka evituar gjithmonë afërsinë fizike me homologët e saj, mbështetet te presidenti francez, mbyll sytë, ka një pamje të butë, emocionale. Me sa duket asgjë nuk është e rastësishme në pamjen e Angela Merkelit.

Argumenti 2: Ajo mbron në mënyrë demonstrative muslimanët në Gjermani. Fare qartë kancelarja gjermane, kryetare e CDU, përqafon thënien e presidentit të mëparshëm gjerman, se edhe islami i përket ndërkohë Gjermanisë. Kjo është me të vërtetë e re: Në vitin 2010 ajo nuk ia miratoi Wulff-it këtë thënie, tani e ka përdorur vetë atë, dy herë brenda katër ditësh. Për herë të parë gjatë vizitës së kryeministrit turk të hënën. Pastaj pasoi një breshëri kritikash prej partisë së saj, partisë simotër CSU, prej American Jewish Congress, dhe shumë zgjedhës të saj nuk janë të bindur për këtë. Megjithatë ajo e përsëriti të gjithë citatin sërish në deklaratën qeveritare.

Argumenti 3: Angela Merkel pozicionohet qartë kundër demonstratave antiislamike të Pegida-s, zgjedh fjalë emocionuese, flet për urrejtjen dhe ftohtësinë, që vëren në disa zemra. Ajo i kujton përgjegjësinë secilit qytetar, që bashkohet me Pegida-n. Nuk dihet se sa e madhe është mbështetja për këto marshime proteste, e atyre që heshtin, megjithatë ajo rrezikon që edhe këtu të humbasë elektorat.

Kundërargument? Për kancelaren thuhet se qeveris në bazë të sondazheve, sipas bindjeve të popullatës. Daljet e saj në publik, fjalimet, gjestet e saj në këto katërmbëdhjetë vite në vështrim të parë flasin një tjetër gjuhë. Por në fakt Angela Merkel ndjek atë, që ka nisur javët e fundit jashtë zyrës së kancelarisë së saj. Shoqëria gjermane i thotë lamtumirë konsensit të rehatshëm në dukje. Ajo ri-ideologjizohet, del në rrugë me dhjetëra mijëra vetë, pozicionohet – edhe pse deri diku me ngurtësi – dhe kërkon të njëjtën gjë edhe nga përsonat në udhëheqje. Angela Merkel në deklaratën e qeverisë ka kërkuar reflektim demokratik. Por demokraci do të thotë gjithmonë edhe konflikt, që zhvillohet me argumente. Të gjithë, edhe kancelarja, duhet të dalin nga zona e rehatisë. Procesi ka filluar.

SHKARKO APP