”Situata është në kontroll”, Benet Beci: Nuk ka pasur në Shkodër një zjarr të tillë, shqetësim edhe katrahura urbanistike

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci nga vendi ku ka rënë zjarri në Shkodër në lagjen e tregut të rrobave të përdorura, tha se zjarri është vënë në kontroll.

”Ka një orë e gjysëm që është stabilizuar situata. Ka qenë një betejë për të menaxhuar dhe marrë në kontroll situatën e zjarrit. Jam i gëzuar që tani nuk ka më rrezik. Është stabilizuar situata. Ka qenë shumë e rëndë dhe faleminderit zjarrfikësve të Lezhës, të Vaut të Dejës. Kanë ardhur nga Ulqini. I falënderoj shumë, kjo situatë ku zjarrëfikësit nuk kishit mundësi të futesh, kjo katrahurë urbanistike ka qenë shqetësim i madh. Ka akoma punë për të pastruar situatë dhe për ta venë në kontroll. Nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe situata është në kontroll”,-tha Beci.

Prefektja e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni thotë se është lokalizuar perimetri i zjarrit që përfshiu tregun e rrobave të përdorura dhe disa banesa. Angoni tha se nuk të lënduar në njerëz, ndërsa dëmet materiale do të përcaktohen pas shuarjes së zjarrit.

Kurse ministri i Brendshëm, Taulant Balla bën me dije se në ndihmë të zjarrfikësve do të vijë edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili do ndihmojë në shuarjen e flakëve.

“Shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e një zjarri tepër të madh në lagjen Qafhardhi. Policia e Shtetit ka evakuar banesat në zonën përreth, ndërsa një numër i madh zjarrfikësish nga bashkitë fqinje po mbërrin për tu ardhur në ndihmë djemve të MKZSH Shkodër. Forcat e Armatosura do të ndërhyjnë nga ajri përmes helikopterit”,-shkruan Balla.

SHKARKO APP