Situata jashtë kontrollit në Kakavijë, Biberaj: Presidenti të ndërhyjë në rrugë diplomatike për të shtyrë afatin e 16 gushtit

Ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj ka reaguar sërish lidhur me situatën në kufirin me Greqinë në pikën kufitare të Kakavijës, ku thekson se situata atje është jashtë kontrollit!

Përmes rrjeteve sociale Biberaj shprehet se ka qytetarë që kanë nevojë për ndihmë mjekësore., por thotë ai, vetëm në Shqipëri nuk funksionon asnjë institucion.

Duke marrë shkas edhe nga protesta e qytetarëve të indinjuar që po qëndrojnë në radhë kilometrike prej ditësh tashmë, Biberaj i bën thirrje Presidentit të Republikës që të shkojë në Kakavijë dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm institucionalë qoftë me përfaqësuesit e diplomacisë helene ashtu dhe me përfaqësuesit e institucioneve shqiptare për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj situate.

“Kush e paguan vuajtjen dhe stresin e tyre ekstremal?! Protesta e qytetareve atje më se e drejtë dhe vetëm me protesta ata mund të gjejnë zgjidhje, pasi në Shqipëri nuk funksionon asnjë institucion. Presidenti i Republikës nuk duhet të mjaftohet vetëm me një status në “Facebook”, por duhet të shkojë atje dhe të takojë qytetarët shqiptarë dhe të ndërmarrë hapa institucionale si me diplomacinë shqiptare, ashtu edhe atë greke! Presidenti është simbol i unitetit kombëtar dhe sot shqiptarët kanë nevojë më shumë së kurrë për të!

Të dashur miq,

Situata në Kakavijë vazhdon të jetë jashtë kontrollit, gjithçka atje po agravon.

Shumë qytetarë të tej-lodhur nga pagjumësia, pa ushqime dhe në kushtet e temperaturës që shkon në 40 gradë, të super-stresuar, po humbasin ndjenjat duke e bërë te nevojshëm kujdesin dhe ndihmën emergjente shëndetësore. I vetmi institucion shtetëror që ka reaguar deri tani është institucioni i Presidentit të Republikës, por nuk mjafton një status në “facebook”, Presidenti duhet të shkojë dhe takojë qytetarët atje, të reagojë në rrugë zyrtare duke vënë në lëvizje të paktën diplomacinë që ka një varësi gjysmake nga Presidenti i Republikës, dhe t’i kërkojë Greqisë shtyrjen e afatit të datës 16. Qytetarët në Kakavijë kanë të drejtë në protestat e tyre dhe vetëm me protesta do të fitojnë të drejtat e tyre të mohuara dhe nëpërkëmbura si nga qeveria shqiptare, ashtu edhe ajo greke!”, shprehet ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj.

SHKARKO APP