Situata me Covid-19, Vasili: Sadizëm shtetëror, Rama të rimbursojë qytetarët e prekur
Viti 2022 ka nisur me rritje të shifrave të Covid-19, dhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, thotë se me këtë qeveri që sillet si sadiste, ata që vuajnë janë qytetarët. ”Mbi Ramën bie përgjegjësia shumë e rëndë e lënies së qytetarëve pa mbështetje për këtë sëmundje kaq problematike si Covid. Asnjë nuk ka nevojë që të dëgjojë dërdëllitjet prej injoranti të Edi Ramës, por duan ndihmë konkrete ashtu siç paguan përditë hajdutët e inceneratorëve”.
Postimi i plotë
Rame lëri dëdëllitjet, po rimburso Covid-in siç paguan hajdutët e inceneratorëve! Sot janë 1236 raste të reja me Covid. E informova opinionin se duke ulur testimet qeveria po gënjente për shifrat e vërteta. Kjo është shifër kritike, që kalon edhe pikun e pandemisë se një vit më parë.
Situata reale është edhe më e rëndë se kaq. Qeveria ka lënë gjithçka në mëshirë të fatit megjithëse e kam paralajmëruar vazhdimisht. Vetëm për personat e deklaruar nga qeveria pra, 1236 raste sot duhen minimumi 125 mijë dollarë rimbursim. Por asgjë nuk rimbursohet. Megjithëse në 1 muaj e gjysëm janë mbi 25 mijë raste me Covid, që do kërkonin rimbursim së paku 2 milion e 500 mijë dollarë asgjë nuk është rimbursuar.
Mbi Ramën bie përgjegjësia shumë e rëndë e lënies së qytetarëve pa mbështetje për këtë sëmundje kaq problematike si Covid. Asnjë nuk ka nevojë që të dëgjojë dërdëllitjet prej injoranti të Edi Ramës, por duan ndihmë konkrete ashtu siç paguan përditë hajdutët e inceneratorëve.
Rama qan e lan përditë për inceneratorët dhe nuk thotë një fjalë për rimbursimin e mijëra shqiptarëve që kanë nxjerrë mbi 200 milion dollarë nga xhepi. Krim i madh për të gjithë, që ky sadizëm shtetëror vazhdon të qeverisë vendin.