Situata nga Covid-19/Rama kërcënon bizneset: Do të rrisim gjobat për lokalet, restorante e qendrat tregtare
Gjatë konferencës me ministren e Shëndetësisë për situatën në të cilën po kalon vende nga Covid-19, me rritje të frikshme të shifrave, kryeministri Edi Rama drejtoi gishtin tek bizneset, ku i ”kërcënoi” me rritje të gjobave.
Sipas Ramës do të ketë në ditët në vijim një rritje të gjobave për lokalet, restorantet, qendrat tregtare dhe bizneseve të ndryshme lidhur me masat anti-covid.
Kryeministri nënvizoi se qeveria ka përgjegjësinë të koordinojë aktorët e tjerë, por edhe bizneset nuk duhet të neglizhojnë.
”Tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme, pasi janë në mjediset e tyre ku dhe rreziku është më i maddh. Rreziku më i madh nuk është as në zyra, as në shtëpi dhe në asnjë vend tjetër, por aty tek tregjet. Që të mos kthehemi tek masat kufizuese, duhet që të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve. Të gjitha strukturat kanë pasur angazhim maksimal. Nuk duam që inspektoriatet të hyjnë e të dalin në lokale, sepse sigurisht kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, dyqane, qendra tregtare, etj. Nëse nuk ka reagim të menjëhershëm, do të ndodhë kështu. Do të jetë policia që do ta imponojë me forcë zbatimin e masave. Edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim. Do rriten gjobat për restorantet, baret, lokalet, e qendrat tregtare”,-tha Rama.