Sjellja e Policisë në protesta, Vasili-Çuçit: Veprime horrash që marrin peng dhe dhunojnë qytetarët
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi në seancën e sotme në Kuvend, foli edhe për dhunën e policisë në protestat e qytetarëve. Sjelljen e Policisë së Shtetit, Vasili e cilëson si veprime horrash që për të marrin peng dhe dhunojnë qytetarët.
”Është bërë normë dhe mënyrë të vepruari dhe ndërhyrja e dhunshme e personave me kapuc të zi, pa asnjë mjet identifikimi që dhunojnë dhe marrin zvarrë protestuesit dhe aq më keq në rastin e fundit kur protestat ishin tërësisht paqësore. Këta njerëz të cilët u ngjajnë vërtet gangsterrëve që s’kanë lidhje fare me policinë ndërhyjnë dhe izolojnë personat i arrestojnë i marrin zvarrë dhe i dhunojnë.
Kemi dhe të tillë civilë prap me kobure në brez, njerëz të vetmuar të izoluar vërsulen si shtazë mbi ta dhe e gjithë kjo situatë zhvillohet në sytë e publikut dhe i vetmi preokupacion i regjistruar me zë dhe figurë është që drejtuesit e policisë i njoftojnë dhe i tërheqin vëmendjen të kenë parasysh se ka kamera ka mjete të identifikimit.
Është krejtësisht një veprim illegal, një veprim horrash të cilët duan të bëjnë cdo llloj paligjshmërie por preokupacioni vetëm është që ata të mos identifikohen. Nuk e di se cili nga ju në sallë do pranonte të rrëmbehej dhe të dhunohej nga horra të këtij niveli”.