”S’ka opozitë të re e të vjetër”, Basha: Rama nuk e voton Reformën Zgjedhore pa ne
Në një konferencë me gazetarët, ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se maxhoranca nuk e voton dot Reformën Zgjedhore pa opozitën e bashkuar. Basha tha se ky është shansi i fundit i PS për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike. Basha tha se nuk ka opozitë të re apo opozitë të vjetër, por vetëm një opozitë që përfaqëson sot shumicën e zgjedhësve në vend.
”Kushtet e Bundetsagut flasin më shumë se fjalët boshe të një njeriu të kapur në dështim. Të merret vendim për Reformën Zgjedhore në përputhje me kushtet e OSBE ODIHIR. Rishikimi i Reformës Zgjedhore duhet të bëhet në dialog të hapur me të gjitha partitë politike. Vetëm një njeri që nuk e do çeljen e negociatave thotë e marr dhe e bëj unë vetëm. Me kë do e bëjë vetëm. Me ata që vjedhin taksat e shqiptarëve. Ky është një sistem që ka degraduar. Ky është shansi i fundit për PS që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së rëndë poliitke. Opozita ka marrë përgjegjësitë e saj dhe të mos fshihet pas dështimit të radhës sepse vetëm ai është përgjegjës. PD dhe opozita kanë parashtruar një plan me 5 pika. Nuk është hera e parë që Edi Rama fshihet dhe dredhon por ne do bëjmë gjithçka që kjo të jetë hera e fundit”.
Për ”opozitën e re” që ndodhet në Parlament, kryeopozitari Basha theksoi se nuk k as opozitë të re e as të vjetër por që ka PD dhe aleatët e sajë. ”Nuk ka opozitë të re dhe opozitë të vjetër. Ka vetëm një opozitë e cila përfaqëson sot shumicën e zgjedhësve. Pjesa tjetër është pjesë e një parlamenti monist”.
Pyetje: Z. Basha, në rast se mazhoranca dhe “opozita e re” arrjnë të votojnë reformën zgjedhore, si do të reagoni ju?
Basha: Më falni?! Kush është opozita e re?
Gazetari: Ata që janë sot në parlament.
Basha: Po s’ka Opozitë të Re dhe Opozitë të Vjetër! Ka vetëm një opozitë dhe një parlament monist, në të cilin ka njerëz që përfaqësojnë në rastin më të mirë, veten e tyre dhe askënd tjetër. Termi “Opozitë e Re” është term i medias së vjetër të blerë e të kapur dhe të shantazhuar nga qeveria. Ka vetëm një opozitë politike, e cila përfaqëson sot, shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Edhe me statistikat e zgjehdjeve të vjedhura të vitit 2017, edhe me statistikat e zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2015, ka vetëm një opozitë që është Partia Demokratike dhe aleatët e saj.