Skandali 500 milionësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, PD: SPAK ka prova për ta çuar para drejtësisë Dritan Agollin
Partia Demokratike deklaron se tenderi abuziv 500 milionë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për krijimin e menusë për 100 fshatra, u anulua vetëm pas presionit publik.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, deputeti Arbi Agalliu thotë se SPAK ka prova për të vënë para drejtësisë kreun e Fondit, Dritan Agollin, në kushtet kur ka dyshime se fituesi I tenderit ishte paracaktuar dhe është shkelur ligji për prokurimin publik për kriteret e vlerësimit.
“Disa javë më parë ne denoncuam tenderin prej 500 milionë lekësh që Fondit Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë për përgatitjen e një menuje tradicionale. Bëhet fjalë për një tender për hartimin e menusë së projektit të “100 fshatrave”. Tender i paracaktuar për t’iu dhënë djalit të drejtorit të FSHZH, Dritan Agolli që ka bërë tenderin. Komisioni i Prokurimit Publik thotë se ka anuluar tenderin abuziv 500 milionë lekësh të fondit shqiptar të zhvillimit për dizenjimin e menusë së 100 fshatrave. Nëse nuk do të ishte presioni publik pas publikimit të fakteve se si Fondi Shqiptar i Zhvillimi kishte paracaktuar fituesin e tenderit, ky tender nuk do të ishte anuluar dhe paratë e shqiptarëve do të përfundonin në xhepat e pushtetarëve të korruptuar. Por po kështu dhe nisja e hetimit nga SPAK ka nxitur Komisionin e Prokurimit Publik të heqë përgjegjësinë ligjore. Në arsyetimin e tij, komisioni ka faktuar se kriteret e vlerësimit teknik nuk janë në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, çka është një provë më shumë për SPAK, për të çuar para drejtësisë mikun e Ramës, Dritan Agolli“, deklaroi Agalliu.