Skandali gjatë procesit të numërimit, Vasili: 20 vota të LSI-së ia kaluan PS-së në Durrës

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi denoncoi në daljen e parë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, se në Durrës Edi Rama vodhi mandatin e LSI-së. Po ashtu edhe nënkryetari Petrit Vasili, në një deklarate për shtyp, denoncoi duke thënë se 20 vota të LSI-së, gjatë numërimit kaluan për PS-në. ”Vetëm në 4 kuti, nga qindra kuti që janë për t’u numëruar, vetëm në 4 kutitë e para janë gjetur rreth 20 vota që i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose që janë vlerësuar të pavlefshme, por që çuditërisht janë numëruar si vota të Partisë Socialiste. Dhe ndodhen aty si vota të Partisë Socialiste. Vetëm disa dhjetëra vota dihet që zhbëjnë rezultatin e Durrësit dhe i japin kandidatit të LSI-së mandatin e deputetit”,-tha Vasili.

Deklarata e plotë

Të nderuar qytetarë!

Të gjithë e keni shumë të qartë, atë që po ndodh me procesin zgjedhor dhe me manipulimin masiv të këtij procesi. Jam këtu para jush për të denoncuar live në kohë reale, atë që po ndodh në Durrës, një masakër e vërtetë elektorale, gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Vetëm në 4 kuti, nga qindra kuti që janë për t’u numëruar, vetëm në 4 kutitë e para janë gjetur rreth 20 vota që i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose që janë vlerësuar të pavlefshme, por që çuditërisht janë numëruar si vota të Partisë Socialiste. Dhe ndodhen aty si vota të Partisë Socialiste. Vetëm disa dhjetëra vota dihet që zhbëjnë rezultatin e Durrësit dhe i japin kandidatit të LSI-së mandatin e deputetit.

Situata është vërtetë skandaloze, në kufijtë e një paligjshmërie absolute. Ndaj ftoj publikisht operacionet ndërkombëtare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesit e KQZ në Tiranë që të jenë pjesë dhe të monitorojnë të gjithë tavolinat e numërimit nga afër dhe ta monitorojnë çast pas çasti këtë proces. Ndërkohë procesi i numërimit siç e dini bëhet nul pa një proces transparent ligjor, e ndërkohë ju keni mundësi të ndiqni proces verbalet origjinale ku evidentohen votat të cilat janë futur në zarfet e kandidatëve, vota të pavlefshme të cilat janë konsideruar si vota të PS.

Ky proces është i shpërndarë në të gjithë qendrat e votimit dhe monitorimi, verifikimi gjatë numërimit i çdo vote dhe çdo procesverbali do të shikoni sesi do vazhdojë të provojë këtë masakër elektorale që ndërkohë po ndodh në Durrës por që ka ndodhur anë e mbanë vendit.

Ju ftoj sërish dhe njëherë monitoruesit ndërkombëtarë dhe KQZ që të mos humbasin asnjë minutë kohë por të nisen drejt Durrësit dhe të verifikojnë në çdo tavolinë numërimi se çfarë po ndodh me votat dhe me të gjithë sistemin mafioz të pavlefshmërisë dhe transferimit të votave ndaj Rilindjes.

SHKARKO APP